Hamza i kërkon Osmanit të emërojë pa vonesë anëtarin e dytë të PDK-së në KQZ

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, i ka dërguar një letër zyrtare presidentes Vjosa Osmani, duke kërkuar që të procedohet pa vonesë me emërimin e anëtarit të dytë të PDK-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Hamza thekson se vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në rastin KO81/26 ka sqaruar përfundimisht çdo paqartësi lidhur me këtë çështje, duke konfirmuar se përfaqësimi i PDK-së me dy anëtarë në KQZ është një e drejtë kushtetuese dhe jo çështje interpretimi politik.

Sipas tij, mosveprimi në këtë fazë do të përbënte shkelje të rendit kushtetues dhe do të krijonte precedent të rrezikshëm për funksionimin demokratik të institucioneve në vend.

“Mosveprimi në këtë fazë, në rrethanat kur çështja është sqaruar përfundimisht nga Gjykata Kushtetuese, do të përbëntë shkelje te rendit kushtetues dhe nje precedent të rrezikshëm për funksionimin demokratik të institucioneve. Për më tepër, kerkojmë që të respektohet edhe praktika e deritanishme institucionale, sipas se cilës, PDK ka pasur përfaqësim me dy anëtarë në KQZ”– shkruan në letrën e tij, më 01.04.2026.

Hamza ka thënë se çdo interpretim tjetër, që do t’i jepte LVV-së tre anëtarë, do të krijonte një situatë kur tri grupe parlamentare kanë nga një perfaqësues, ndërsa një parti dominon me tre. Me Kushtetutë përcaktohet që KQZ-ja duhet të ketë 11 anëtarë – përfshirë kryetarin. Nëntë prej tyre veçse janë betuar.

Gjykata Kushtetuese e ka ‘kthyer topin’ sërish në zyrën e Presidentes. Tashmë, kur mandati i saj po i numëron ditët e fundit – barra e vendimmarrjes peshon mbi të. Se kë do ta emërojë Presidentja ende nuk dihet, derisa nga ky institucion ende nuk janë përgjigjur për KALLXO.com.

Presidentes i skadon mandati më 5 prill. Gjykata Kushtetuese ka sqaruar së fundmi (më 25 mars 2026) se deputetët kanë ende afat (34 ditë) për ta përmbyllur procesin e zgjedhjes së Presidentit. Në rast se Presidenti i ri nuk zgjidhet deri atëherë, ushtruese e detyrës së presidentes vendoset Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.

Sidoqoftë, në këtë përsëritje të rastit të anëtarit, emrat kanë ndryshuar por pretendimet mbeten të njëjta. Derisa 9 anëtarë të tjerë janë betuar, çështja ka mbetur te vendi i fundit: LVV pretendon se si forca kryesore i takon t’i ketë tre anëtarë në KQZ: Njazi Isakun, Alban Krasniqin dhe Violeta Eminin. Dy të fundit, bashkë me shtatë anëtarë të partive tjera veçse janë betuar.

PDK e cila për momentin ka të betuar si anëtar vetëm Ilir Gashin, kërkon të plotësojë dyshen e saj me Rashit Qalajn, duke u thirrur në praktikat e deritashme institucionale.

Sipas Kushtetutës, gjashtë anëtarë emërohen nga pjesëtarët e gjashtë grupeve më të mëdha parlamentare të përfaqësuara në Kuvend, të cilët nuk kanë të drejtë të marrin pjesë në ndarjen e vendeve të rezervuara.

Nëse në Kuvend janë të përfaqësuara më pak grupe, grupi a grupet më të mëdha mund të emërojnë anëtarë shtesë.

Një anëtar emërohet nga deputetët e Kuvendit të cilët mbajnë vende të rezervuara a të garantuara për komunitetin serb të Kosovës dhe tre anëtarë nga deputetët e Kuvendit, të cilët mbajnë vende të rezervuara a të garantuara për komunitetet e tjera që nuk janë shumicë në Kosovë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu