Në raportin e publikuar për vitin e parë të mandatit të tij, Kryetari I Kuvendit, Afrim Gashi, ka treguar shtyllat kryesore të angazhimi të tij njëvjeçar. Një nga shtyllat kryesore në të cilën shfaqet përparim për mandatin aktual të Kuvendit është hapja dhe qasshmëria e Kuvendit për qytetarët.
Sipas këtij raporti, është njoftuar se për një vit është shënuar numri më i madh i vizitorëve deri më tani – rreth 10,741 vizitorë. Gjithashtu, janë hapur 50 nga 75 zyrat e planifikuara të Kuvendit në komuna për të forcuar lidhjen mes deputetëve dhe qytetarëve. Kjo, nënkupton se objektivi i përgjithshëm në masë të madhe është realizuar . Ndërkaq në përbërjen e kaluar është dashur një mandat i plotë për të arritur këtë numër (51/75).
Ndër të tjerat, sipas raportit, Kuvendi ka organizuar rreth 63 ngjarje publike, ndërsa është përmirësuar edhe siguria fizike, përmes donacionit të skenerëve nga Bundestagu Gjerman, me çka nga vetëm një hyrë funskionale, tashmë janë hapur katër hyrje të Kuvendit.
Të gjitha këto, sipas Gashit, kanë qenë një përkushtim për të ndërtuar një urë të fortë komunikimi ndërmjet institucionit dhe popullit si dhe për të adresuar më mire nevojat e qytetarëve. “Kuvendi si shtëpi për të gjithë nuk është një slogan, por angazhim real me hapa konkretë. Prandaj, ne kemi mirëpritur një numër të madh vizitorësh dhe i kemi zgjeruar ndjeshëm zyrat e deputetëve për kontakt me qytetarët në komuna, ky si hap i domosdoshëm drejt një përfaqësimi më të drejtë të interesave dhe adresim më të madh të nevojave të qytetarëve.” deklaroi Gashi në konferencën për shtyp me 28 maj 2025 derisa prezantoi raportin e vitit të parë të mandatit të tij.