Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, vendimin që LDK të votojë në seancën për zgjedhjen e presidentit e ka cilësuar si një marrëdhënie të re LVV-LDK.
Por thotë se partia e tij nuk do ta votojë atë pasi siç u shpreh në takimin me kreun e LVV-së Albin Kurtin dhe kandidaten për presidente Vjosa Osmani këta dy të fundit nuk i kanë kërkuar votat e AAK-së as për qeverinë e as për presidenten. Por ambasadori gjerman në Kosovë Jon Rohde e ka mirëpritur vendimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për të marrë pjesë në procesin zgjedhor për presidentin e ri.
“Shpresoj që të gjithë deputetët e zgjedhur të ndjekin këtë shembull dhe të vendosin nevojat e qytetarëve të Kosovës mbi ato politike. Unë nuk mund të imagjinoj mbajtjen e zgjedhjeve të reja në mes të valës së pandemisë”.
Lidhja Demokratike ka vendosur që të marrë pjesë në procesin e zgjedhjes së presidentit të ri duke shtuar gjasat për evitimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme ndërsa Partia Demokratike e Kosovës nuk do të marrë pjesë në këtë proces, duke e cilësuar kandidaten për deputete Vjosa Osmanin jounifikuese.









