Ardhja e delegacionit amerikan në Kosovë, për më pak se tri javë pas nënshkrimit të marrëveshjes në Uashington, po shihet si diçka që nuk është parë asnjëherë deri më sot nga kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Ramush Haradinaj e ka vlerësuar shumë punën e emisarit special për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, duke shtyrë përpara marrëveshjen për normalizim ekonomik të 4 shtatorit.
“Jam i befasuar me zotësitë e Grenellit. Jam i mahnitur me fuqinë e delegacionit amerikan për temat. Është e paparë të futen menjëherë temat në zbatim pas arritjes së marrëveshjes. Nuk duhet të shihet pak kjo. Nuk mund të mos ia pranoj meritën Grenellit”, është shprehur ai.
Haradinaj megjithatë e ka pranuar se në vizitën e djeshme të delegacionit të qeverisë amerikane në Prishtinë nuk ishte takuar me ish-ambasadorin Grenell, me të cilin ka komunikime të rregullta, pavarësisht se kanë mos pajtime.
“Nuk mund të them se më ka mikun më të mirë në Kosovë. Unë i kam treguar se cili është problemi më i madh i ynë. Ata janë profesionistë dhe njerëz të zotë. S’është puna që nuk iu besoj, por unë e marr rrogën nga Kosova, ndërsa Grenelli paguhet nga Trump”, është shprehur ai.