Haradinaj: Kosova anëtare e NATO-s, ose bashkim me Shqipërinë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë se zgjedhjet e 14 shkurtit po i konsideron referendum për anëtarësim në NATO, i cili sipas tij duhet të ndodhë deri në vitin 2024.

Në të kundërtën, pretenduesi për president të vendit tha se zgjidhja e vetme mbetet bashkimi me Shqipërinë.

“Më 14 shkurt në një mënyrë është referendumi për NATO. Kujt i konvenon Kosova në NATO, ju e dini, popullit të Kosovës, rajonit, por edhe NATO-s dhe aleatëve tanë të sigurisë. Kush është kundër, dihet që është Rusia, Serbia dhe aleatët e tyre”, tha ai.

Lideri i AAK-së tha se paralajmërimet për bashkim me Shqipërinë nuk i befasojnë as aleatët e Kosovës.

“Neve po na harxhohet koha e pritjes pa kufi për t’u bërë anëtar i NATO-s si Kosovë, ose si shtet i pavarur ashtu siç jemi nisur. Në këtë rast Kosovës i mbetet vetëm një rrugë, s’ka rrugë tjetër, është bashkimi me Shqipërinë, që është diçka e natyrshme, e cila po vjen. Edhe aleatët e Kosovës të gjithë e kuptojnë se Kosova u dha atyre kohë, ua dha 25 vjet, se kemi thënë se deri në vitin 2024 nuk jemi në dyer të NATO-s, atëherë nuk na mbetet tjetër pos me u marrë vesh për me hy të bashkuar. Unë besoj se edhe aleatët tanë e vlerësojnë kohën që ia kemi dhënë opsionit për me hy në NATO si Kosovë e pavarur. Prandaj jam i bindur që do të na jepnin leje dhe përkrahje për bashkim me Shqipërinë. Pra ky është një opsion real që mund të ndodhë”, tha ai.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu