Ramush Haradinaj ka reaguar pas deklaratave kërcënuese për luftë të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq. Haradinaj thotë se Serbia ndihet e fortë kur Kosova është me presidencë e qeveri të shkarkuar.
Ja reagimi i plotë:
“Fqinji ynë agresiv po u kthehet kërcënimeve të tij të zakonshme kundër Shtetit tonë! Ai ndihet i fortë tani kur Kosova ka një Qeveri të shkarkuar dhe një President të dobët në detyrë. Ne kemi nevojë për një President i cili qëndron fortë për Kosovën dhe është i denjë të përballet me kundërshtarin agresiv, Serbinë.
Ndërsa e krijuam ushtrinë në kohën sa isha Kryeministër, një punë që ishte kundër bindjes së fqinjit tonë, në mandatin tim si president, këtë ushtri dhe Kosovën pretendoj t’i bëj pjesë të NATO-s! Ky është çelësi i sigurisë dhe i paqes në rajon dhe përgjigjja më e mirë në deklaratat luftënxitëse të Vuçiqit!
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i është kthyer sërish deklaratave për luftën, teksa ka thënë se “nëse Kosova përpiqet të anëtarësohet në ndonjë organizatë ndërkombëtare, befasitë e shumta do ta presin atë”.”
“Ata e dinë që unë nuk po gënjej. Unë nuk jam vetëm duke iu drejtuar atyre, por edhe mentorëve të tyre. Dhe unë them se ata do të kenë shumë surpriza, jo një ose dy”, tha Vuçiqi për “TV Happy”.
“Një konflikt i ngrirë do të thotë të presësh që dikush të nxjerrë i pari shpatën, nuk do të doja që bijtë e mi të shkojnë në luftë. Nuk duhet të na hyjë gjaku në trurin tonë, duhet të jemi realistë, njerëzit duhet të dinë se cilat janë të gjitha rreziqet e një konflikti të ngrirë. Shqiptarët nuk janë në thelb të gatshëm për një zgjidhje kompromisi”, tha ai.









