Ish-kryeministri Ramush Haradinaj, ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentarja Vjosa Osmani kanë kapur shtetin e Kosovës.
Haradinaj derisa ishte i ftuar dje tek emisioni ‘Zona e Debatit’ me Baton Haxhiun, tha se shteti i Kosovës tani është kapur nga Kurti e Osmani.
“Shteti është i kapur prej dy njerëzve sot, prej Albinit dhe Vjosës, unë mendoj se është kapur ndaj qytetarëve dhe ndaj partive, unë e kam të vështirë me besu që gjithë ata aktivistët e Vetëvendosjes që janë mërdhi në Merdare e janë rreh me Policinë e Kosovës për mos me hy malli serb në Kosovë, sot ia aprovojnë shefit vet hekjen e një vendimi ligjor për me kthy qat mall”, tha Haradinaj.
Haradinaj tha po ashtu se nuk do të rri duarkryq nëse Albin Kurti heq taksën, sipas tij do të ketë veprime nga ana e tij dhe partisë që ai drejton.
Kujtojmë se taksa 100% është vendosur nga qeveria e kaluar në nëntor të 2018 si përgjigje ndaj ofensivës së Serbisë për tërheqjen e njohjeve të Kosovës, kjo taksë shkaktoi bllokimin e dialogut Kosovë-Serbi dhe disa procese tjera.










