Kryeministri në largim i Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar sërish në lidhje me heqjen e taksës, për të cilën thotë se atë nuk mund ta heqë Qeveria e Kosovës, por vetëm Serbia me njohjen e shtetit tonë.
Haradinaj tha se përkundër vështirësive që nap resin ose e presin Qeverinë e ardhshme, do të ishte gabim i madh nëse merren hapa për largimin e taksës.
‘Do të ishte shumë gabim nëse qeveria e ardhshme mendon ta heqë taksën pasi atë nuk mund ta heqë Qeveria e Kosovës por vetëm Serbia me njohjen e shtetit tonë’, tha ai gjatë një konference për media.
Haradinaj tutje tha se viti 2019 nuk ka qenë vit i lehtë për ekonominë e vendit, duke kujtuar disa ngjarje që e kanë shënuar këtë vit.
‘Mendoj se është e arritur e madhe fakti se ka arritur të implementohet Ligji për ‘Trepçën’, sepse duke u implementuar ky ligj, jep disa efekte: e para, krijon situatë të pastër të statusit ligjor të resurseve në vendin tonë, të gjitha resurseve, pra me këtë përmbyllet kapitulli se të kujt janë resurset ose pasuritë natyrore të vendit tonë dhe kësisoj Trepça është e gatshme për të operuar dhe për të bërë biznes. Po ashtu, është e arritur ekonomike afatgjate për Kosovën që do të ketë efekte të mira pavarësimi energjetik i Kosovës i cili do ta ndihmoj vendin, për shkak se tani jemi kthyer në pronar të vetvetes, hapësirës dhe tregut tonë energjetik, dhe tani mund të kthehemi në palë kontraktuese si ndodhi me Shqipërinë, unifikimi i tregut apo marrëdhëniet kontraktuale që kanë filluar’, ka thënë Haradinaj.