Shkruan: Ridvan Ismaili
SHTIMI NATYROR NË BALLKANIN PERENDIMOR
Gjatë vitit 2025, Kosova ka shënuar shtim natyror prej +11.694 banorë, ose mesatarisht +32 banorë më shumë për çdo ditë. Ky shtim është pak më shumë se gjysma e popullsisë së komunës së Kamenicës (e cila ka rreth 22.868 banorë).
Në anën tjetër, Serbia gjatë vitit 2025 ka regjistruar rënie natyrore prej -35.764 banorë, ose mesatarisht -98 banorë më pak për çdo ditë. Kjo është pothuajse sa e gjithë popullsia e komunës së Velika Pllanës (e cila ka rreth 35.766 banorë).
Edhe te bashkësia etnike maqedonase në Maqedoninë e Veriut, gjatë vitit 2024* (sepse ESHS-ja nuk ka publikuar të dhënat e lindjeve sipas përkatësisë etnike për vitin 2025), rënia natyrore ishte -7.918 persona, ose mesatarisht -22 persona më pak për çdo ditë. Kjo është pothuajse sa popullsia e komunës së Krushevës (e cila ka rreth 8.385 banorë).
Ndërsa shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, gjatë vitit 2024, kanë shënuar shtim natyror prej +2.166 personash, ose mesatarisht +6 persona më shumë për çdo ditë. Ky shtim është pothuajse sa e gjithë popullsia e komunës së Vevçanit (e cila numëron 2.359 banorë).
Pra, brenda vetëm një viti, Kosova shton më shumë se gjysmën e një Kamenice, Serbia humb një Velika Pllanë, maqedonasit humbin pothuajse një Krushevë, ndërsa shqiptarët në Maqedoni shtohen sa popullsia e Vevçanit!










