“Heqja dorë” e Vuçiqit nga Dodiku

Në zgjedhjet për president të Republikës Sërpska (RS), entitet ky në Bosnjë dhe Hercegovinë, Milorad Dodiku pati mbështetjen e Putinit dhe Orbanit, por jo edhe të Vuçiqit.

Ndryshe nga presidenti rus, Vladimir Putin dhe kryeministri hungarez, Viktor Orban, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq nuk e deklaroi publikisht mbështetjen e tij për Dodikun para zgjedhjeve.

Dodiku është mysafir i shpeshtë në ngjarjet zyrtare të Vuçiqit, ndërkaq të dy këta burrështetas kanë marrëdhënie shumë të ngushta. Në deklaratat e tij, Dodiku nuk e fsheh se llogarit në mbështetjen e Beogradit zyrtar për qëndrimet e tij, të cilat kanë hasur në reagime dënuese nga perëndimi.

Fakti që kësaj radhe Dodiku nuk e pati mbështetjen nga Vuçiq, sipas profesorit universitar nga Sarajeva, Enver Kazaz, dëshmon se jo vetëm janë ftohur raportet, por se në një farë mënyre Vuçiq ka zgjedhur opozitën në Republika Sërpska. Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë (RSE), ai thekson se politika e Vuçiqit nuk përcaktohet nga qëndrime agresive sikurse politika e Dodikut.

“Dhe, po vjen koha kur Dodik, me politikën e tij të fuqishme, nacionaliste, veçanërisht me vizitat e tij te Putini, e shqetëson Vuçiqin, sepse ai po aq sa luan me letrën e Evropës, po aq luan edhe me letrën e Rusisë”, vlerëson Kazaz për REL-in.

Më 20 shtator, Dodik, si anëtar i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, u takua në Moskë me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin. Putin dhe Rusia janë nën izolim dhe sanksione ndërkombëtare për shkak të agresionit ndaj Ukrainës fqinje.

Radio Televizioni i Republikës Sërpska (RTRS) raportoi se gjatë takimit, Putin i uroi Dodikut sukses në zgjedhje, me shpresën se ai do të fuqizonte forcat patriotike në Republikën Sërpska.

“Për ne është gjithmonë e rëndësishme të kemi miq si ju”, iu përgjigj Dodik.

Gjithashtu, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë prej vitesh se Putini është mik i Serbisë dhe është takuar disa herë me liderin rus.

Por, që nga fillimi i pushtimit rus kundër Ukrainës në shkurt të këtij viti, Vuçiq është përballur me thirrje nga Bashkimi Evropian dhe vendet perëndimore që Serbia të vendosë sanksione ndaj Moskës.

Serbia është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që nuk është bashkuar me Perëndimin në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë. Megjithatë, në votimet e BE-së për disa rezoluta, ajo iu bashkua dënimit të agresionit rus kundër Ukrainës.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu