Historia e trenit të çuditshëm “Tiranë-Durrës Express” në Shqipërinë e 1920!

Ushtritë austro – hungareze dhe italiane që qëndruan në Shqipëri ndërtuan linja hekurudhore
Gjatë Luftës së Parë Botërore, ushtritë austro-hungareze e ato italiane që qëndruan në Shqipëri ndërtuan linja hekurudhore (dekovilë).

Në përfundim të luftës, një pjesë e materialeve të këtyre ushtrive do të mbetej në Shqipëri. E në listën e sendeve të mbetura do të ishin edhe disa vagonë e shinat e dekovilëve. Një nga linjat që kishte mbetur ishte ajo Durrës-Kavajë-Rrogozhinë-Lushnje-Berat.

Në vitin 1920, kjo linjë u rivendos në funksionim, por në mungesë të një lokomotive do të përdorej mushka ose kali për tërheqjen e vagonëve. Fillimisht do të ishin misionarët amerikanë të Kryqit të Kuq që do të jepnin këtë ide për që i jepte zgjidhje (sadopak) çështjes së transportit në Shqipërinë e atyre viteve. Këta të fundit do ta emërtonin “Express-i Tiranë-Durrës” këtë mjet transporti të sajuar. E në fakt, nga kjo veprimtari do të përfitonte edhe arka e shtetit.

Bileta e “trenit” që tërhiqej me kalë ose mushkë ishte 2 franga ari për çdo person ndërsa për 1 kuintal plaçka paguhej një tarifë prej 1 frangë ari.

Në vitin 1923 do të bëhej përpjekje për ta dhënë me koncesion këtë linjë transporti e fitues i koncesionit do të ishte një ish deputet, Mustafa Maksudi nga Gjirokastra.

Me 5 prill të vitit 1923 do të merrte fuqi ligjore kontrata, sipas së cilës koncesionari do të manaxhonte këtë linjë transporti për 15 vite, me kushtin që brenda 5 viteve të sillej një lokomotivë për tërheqjen e vagonëve e të hiqej përdorimi i kafshëve. Materialet për mirëmbajtjen e linjës përjashtoheshin nga taksat doganore. Koncesionari kishte detyrimin që t’i paguante shtetit një përqindje nga fitimet. Tarifa e transportit parashikohej të rinegociohej pas 6 muajve me marrëveshje me koncesionarin.

Koncesionari do të niste punën sipas këtyre dispozitave megjithatë do të rezultonte se nuk do t’i përmbahej kushteve të kontratës. Haxhi Shkoza te “Financat e Shqipnis” shkruan se “i janë kërkuar llogaritë për veprimet përkatëse dhe jo vetëm këto, por as nuk është gjetur as vetë sipërmarrësi”, shkruan Portali Scan.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu