Holanda kusht Shqipërisë për antarësimin në BE: “Na jep TAP-in, të japim votën!”

Debati lidhur me marrëveshjen Greqi-Shqipëri, ku sipas ministrit Kotzias vendi ynë ka pranuar t’i falë fqinjit 12 milje detare, duket se ka zgjuar edhe dëshirat e vendeve të tjera për të përfituar nga vendi ynë.

Në një shkrim në Gazeta Shqiptare, ish-diplomati shqiptar Shaban Murati është shprehur se Holanda i ka vënë kusht vendit tonë për t’u antarësuar në BE përfshirjen e një firme holandeze për menaxhimin e segmentit shqiptar të gazsjellësit TAP.

“Një burim i mirinformuar diplomatik bën të ditur se Holanda i ka paraqitur një kusht Shqipërisë, që do t’ia japë votën për hapjen e bisedimeve të pranimit me BE-në, vetëm nëse Shqipëria i akordon asaj pjesëmarrjen e një kompanie holandeze të gazit në procesin e menaxhimit të segmentit shqiptar të gazsjellësit TAP dhe në ndërtimin e rrjetit të gazifikimit të vendit. Sipas burimit, lëvizja holandeze duhet të ketë ardhur pas efikasitetit të së njëjtës lëvizje kushti, që bëri Greqia me Shqipërinë. Në prag të bisedimeve të raundit të parë midis dy Ministrive të Jashtme shqiptare dhe greke në Kretë, presidenti i Greqisë vjeshtën e kaluar katër herë me radhë parashtroi kushtin grek të përdorimit të vetos për hapjen e bisedimeve të pranimit me BE, nëse Shqipëria nuk lëshon në çështjen e detit, në çështjen e varrezave, në proteksionin grek mbi ortodoksinë shqiptare, në statusin e privilegjuar të minoritetit grek, etj” – shkruan ish-diplomati.

“Fakti që në datën 28 janar, pra pas raundit të dytë të bisedimeve midis dy Ministrive të Jashtme në Korçë, kryeministri i Greqisë Aleksis Cipras në një mbledhje me krerët e partive politike greke njoftoi vendimin e qeverisë për heqjen e vetos greke për hapjen e bisedimeve të pranimit me BE, të çojnë tek mendimi se Shqipëria mund të ketë ceduar në drejtim të kërkesave greke. Kryeministri grek, i cili si rregull është prononcuar shumë rrallë për marrëdhëniet me Shqipërinë, e quajti të rëndësishëm rezultatin, sa vendosi të njoftojë vetë direkt se: “Ne jemi gati për një marrëveshje strategjike me Shqipërinë”, – përfundon shkrimi i Muratit. /Blitz.al/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu