Hoti flet si kryeministër: Mbi 1 miliard euro të mobilizohen për Pakon për Rimëkëmbje Ekonomike

Anëtari i LDK’së, Avdullah Hoti, ka folur në rolin e kryeministrit të ardhshëm të Kosovës, duke premtuar mbi 1 miliard euro për Pakon për Rimëkëmbje Ekonomike të Kosovës.

Hoti përmes një postimi në Facebook ka thënë se mbi 1 miliard euro do të mobilizohen për zbatimin e Pakos për Rimëkëmbje Ekonomike të Qeverisë së re.

Sipas Hotit kjo Pako e Rimëkëmbjes Ekonomike do ta mbështeste zhvillimin e Kosovës dhe do t’i ndihmonte investimet private dhe publike.

Postimi i plotë nga Hoti:

Mbi 1 miliard euro do të mobilizohen për zbatimin e Pakos për Rimëkëmbje Ekonomike të Qeverisë së re.

Një pjesë e konsiderueshme e këtyre mjeteve do të futen në ekonomi sivjet, për të mbështetur bizneset që të qëndrojnë në treg dhe të mbajnë punëtorët në punë.

Ndërkaq, në vitet në vijim do të mbështeten investimet private dhe publike që krijojnë vende pune në prodhim, bujqësi, teknologji dhe sektorë me vlerë të shtuar.

Në zbatimin e masave të kësaj pakoje do të përfshihen odat ekonomike, bankat, shoqatat e profesionistëve, institucionet akademike, komunat, investitorë nga diaspora jonë dhe partnerët ndërkombëtar që mbështesin zhvillimin e Kosovës. Legjislacioni i nevojshëm për zbatimin e kësaj pakoje do të procedohet në Kuvend menjëherë pas formimit të Qeverisë së Re.

Kjo pako është pjesë e Programit të Qeverisë së Re, që është duke u harmonizuar me të gjithë partnerët e koalicionit qeverisës”– tha Hoti.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu