Hoti: Këto janë prioritetet e mia si kryeministër

Pandemia dhe rimëkëmbja ekonomike janë dy prioritetet e kandidatit të nominuar për kryeministër nga radhët e LDK-së, Abdulla Hoti.

Ai shtoi se ndër prioritetet e Qeverisë do të jetë edhe dialogu me Serbinë, por duke mos dhënë detaje.

“Sfida e parë menaxhimi i pandemisë, rimëkëmbja ekonomike. Por dialogu është prioriteti kryesor që do të ballafaqohemi. Çdo masë e reciprocitetit do të zbatohet në bashkëpunim me partnerët”, theksoi Hoti, i cili javë më parë u shkarkua nga posti i zv/kryeministrit në Qeverinë në detyrë të udhëhequr nga Albin Kurti.

Lidhur me atë se vendimi i tillë a është kushtetues, Hoti shtoi se do ta respektojnë çdo vendim të Gjykatës Kushtetuese. Hoti në këtë detyrë u propozua nga kryesia e LDK-së, ndërsa për këtë do të vendos edhe këshilli i përgjithshëm i kësaj partie.

Pasi që ky propozim do të marrë dritë jeshile nga organet partiake, çështja do t’i kalohet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi që t’i jap mandatin për formimin e qeverisë, mbi bazën e një afati kushtetues prej dhjetë ditëve. Qeveria e udhëhequr nga LDK do të ketë pjesë të saj edhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Nismën Socialdemokrate, Aleancën Kosova e Re, Listën Serbe dhe komunitetet tjera joshumicë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu