Ish- kryeministri i vendit, Avdullah Hoti thotë se duhet të ruajmë raportet miqësore me ShBA-të. Hoti ka përmendur kërkesën e sekretarit të shtetit Blinken, i cili i ka kërkuar Serbisë përsëri të përmbyllë marrëveshjen me Kosovën, për njohje reciproke.
“Dialogu është ri-filluar mbi parime të qarta në Qeverinë e kaluar – dialog vetëm për marrëveshje përfundimtare për njohje reciproke, pa u cenuar karakteri unitar i shtetit të Kosovës dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës”, ka shkruar mes tjerash Hoti.
Ndryshe, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i kishte dërguar letër presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në të cilën ai e shkruajti me dorë një mesazh të veçantë nën pjesën zyrtare të letrës. Por pjesa më e rëndësishme ishte mbi këtë pjesë, ku ai i kërkoi Vuçiqit njohjen reciproke me Kosovën.
Shkrimi i tij i plotë:
“Në linjë me deklarimin e Presidentit Biden, Sekretari i Shtetit Blinken i kërkon prapë Serbisë të përmbyllë marrëveshjen me Kosovën me njohje reciproke. Këta janë miqtë e vërtetë të Kosovës. Duhet ta ruajmë miqësinë speciale me SHBA-të. Presidenti Rugova, një burrështetas vizionar e ka thënë këtë para 30 vitesh.
Dialogu është ri-filluar mbi parime të qarta në Qeverinë e kaluar – dialog vetëm për marrëveshje përfundimtare për njohje reciproke, pa u cenuar karakteri unitar i shtetit të Kosovës dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës. Mbi këto parime kemi fituar mbështetjen e partnerëve tanë për këtë proces”– shkruan ai.









