Kryetari në detyrë i PDK’së, Enver Hoxhaj, ka kujtuar të rënët në Likoshan e Qirez, duke thënë se këto vende u bënë pjesë e historisë dhe çlirimit të vendit. Hoxhaj, përmes një postimi në Facebook, tha se dëshmorët dhe martirët e kombit nga Likoshani dhe Qirezi, u bënë memorie për Kosovën e lirë.
“Dëshmorët dhe martirët e kombit, nga Likoshani dhe Qirezi, u bënë memorie për Kosovën e lirë, memorie ku barbaria okupatore serbe, në pamundësi të ballafaqohej me njësitet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kryen masakra të tmerrshme“, shkroi Hoxhaj.
Ky është postimi i plotë:
“Para 23 vitesh, Likoshani e Qirezi, u bënë pjesë e historisë dhe gjeografisë së çlirimit të vendit, duke u bërë të paharrueshme për çdo atdhetar, për sakrificën madhore për liri dhe çlirim. Zjarri i luftës për çlirim, nga këtu, po bëhej edhe më fuqishëm, nga 28 shkurti i vitit 1998, duke motivuar bijat dhe bijtë më të çmuar të kombit, të ngjishnin radhët e njësiteve dhe frontit kundër okupatorit, deri në çlirimin e vendit.
Dëshmorët dhe martirët e kombit, nga Likoshani dhe Qirezi, u bënë memorie për Kosovën e lirë, memorie ku barbaria okupatore serbe, në pamundësi të ballafaqohej me njësitet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kryen masakra të tmerrshme.
Pas betejës frontale te Lisi Gjashtnjak, ku forcat serbe pësuan humbje të madhe nga UÇK-ja, u hakmorën ndaj qytetarëve të pafajshëm e të pafuqishëm, për të rikonfirmuar identitetin e vet në raport me shqiptarët. Për fat të keq, planifikuesit dhe ekzekutuesit e këtij krimi të rëndë, ende nuk kanë marrë dënimin e merituar. Lavdi e përjetshme për dëshmorët dhe martirët e Likoshanit dhe Qirezit!“shkruan Hoxhaj.









