“Nëse dikush në Beograd dhe herë pas here në Bruksel mendon se nuk duhet të ketë vija të kuqe në fazën e fundit të dialogut mes Kosovës dhe S
erbisë, unë them se nëse këto vija të kuqe prishen në raport me Serbinë mund të mos vlejnë edhe në kufirin jugor me Shqipërinë”.
Kështu ka thënë zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj në përurimin e pikës kufitare në Morinë, investim ky i Bashkimit Evropian.
Hoxhaj ka përmendur 24 korrikun e vitit 2006 kur ndodhi takimi i Vjenës i njohur si “takimi i elefantëve” e nga i cili takim sipas tij rrodhi më pas dialogu me Serbinë, raporton Arta TV.
“Ky takim ka qenë katalizator i asaj që është Kosova sot. Në negociatat në Vjenë ka pas parametra e vija të kuqe të cilat e kanë formësuar shtet ndërtimin e Kosovës”, ka thënë Hoxhaj.
E pranishme në inaugurim ishte edhe Zv/Kryeministrja e Shqipërisë Senida Mesi,e cila tha se pika e re kufitare ka infrastrukturë moderne në përputhje me kërkesat e BE dhe standardet Schengen.
“Rekomandimi që mori Kosova për liberalizimin e vizave dhe rrugëtimi evropian i Shqipërisë, shtojnë angazhimet e qeverive përkatëse për sigurimin, kontrollin e integruar & menaxhimin cilësor të kufijve. Menaxhimi i mirë i kufijve, jo vetëm garanci për vendet tona, rajonin dhe BE, por gjithashtu ka rëndësi të veçantë dhe është një bonus në përpjekjet e vendet tona për të hyrë nesër në familjen e madhe evropiane”, u shpreh Mesi në fjalën e saj.
Ndërkohë Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalyia Apostolova ka thënë se pika kufitare e rinovuar ka rëndësi të veçantë për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave mes dy vendeve.