Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, ka përsëritur qëndrimin e kësaj partie rreth kandidaturës së Vjosa Osmanit për presidente të ardhshme të Kosovës.
Hoxhaj ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës nuk ka votë për Vjosa Osmanin për presidente të ardhshme të Kosovës.
“Ajo është treguar një figurë përçarëse, aspak përbashkuese dhe nuk e përfaqëson unitetin e popullit. Duke qenë e motivuar partiakisht dhe që përfaqëson interesat e vetëm një partie dhe liderit të saj, Osmani nuk mund të jetë aspak e denjë për pozitën e presidentes”.
Tutje Hoxhaj ka thënë se PDK-ja nuk do ta tradhtoj besimin e votuesve të saj.
“Ne jemi partia e vetme në opozitë që do ta ballafaqojmë deri në fund pushtetin e ri, do t’i përfaqësojmë qytetarët e Kosovës dhe do ta mbajmë përgjegjëse për çdo premtim e vendim. PDK sikurse e kemi thënë gjatë zgjedhjeve, do të jetë fronti i vetëm politik në Kosovë kundër boshtit populist të përfaqësuar nga Kurti”, ka shkruar Hoxhaj në Facebook.