Zëvendës – ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Brian Hoyt Yee pas takimeve me liderët politik dhe krerët shtetëror në Shkup ka theksuar se është kohë për formimin e qeverisë së re, e cila do të punojë në planin e reformave për tejkalimin e krizës politike. Sipas tij, të gjitha çështjet rreth programit të Qeverisë së re duhet të debatohen në Kuvend, informon INA.
“Për fat të keq, liderët politik nuk ishin në gjendje për të formuar qeverinë pas zgjedhjeve, që ishin njohur nga gjithë bashkësia ndërkombëtare. Më shqetësuese janë incidentet e fundit në Kuvend, ku deputetët ishin sulmuar në mënyrë qyqare, vetëm pse kishin zgjedhur kryeparlamentarin e ri”, deklaroi Hoyt Yee.
Ai kërkoi që autoritetet të hetojnë sulmet dhe të gjithë personat përgjegjës të përgjigjen para drejtësisë.
Hoyt Yee nënvizoi se me rëndësi është që liderët politik të kuptojnë seriozitetin dhe të gjejnë mënyrë që maxhoranca në Kuvend të zgjedh Qeverinë e re, që do të punojë për reformat në vend. Ai përsëriti qëndrimin se SHBA do të punojnë me kryeparlamentarin e ri Talat Xhaferi. “Duhet ti jepet shans këtij procesi që të vazhdojë me formimin e Qeverisë, e cila do të ketë program”, theksoi zyrtari i lartë amerikan. (INA)