Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka kërkuar dorëheqjen e parevokueshme të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke e cilësuar këtë veprim si respektim të standardeve politike që vetë LDK-ja i ka ndërtuar ndër vite.
Në mbledhjen e mbajtur dje, Bajrami ka ofruar gjithashtu dorëheqjen e saj të parevokueshme nga pozita e nënkryetares, duke theksuar se përgjegjësia për rezultatin e dobët zgjedhor duhet të pasohet me zgjedhje të brendshme dhe reflektim të thellë brenda partisë.
”Dje në mbledhjen e LDK-së kam kërkuar dorëheqjen e parevokushme të z. Abdixhiku nga pozita e kryetarit të LDK-së, si standard i vendosur nga vetë LDK-ja. Duke respektuar të njëjtin standard, kam ofruar dorëheqjen time të parevokueshme nga pozita e Nënkryetares së LDK-së, mbi parimin se kush merr rezultate të rënda zgjedhore për LDK-në duhet marrë përgjegjësi dhe t’i hapë rrugë zgjedhjeve të brendshme. Ky veprim nuk është personal dhe as emocional, por respektim i standardit politik që LDK-ja vetë e ka ndërtuar ndër vite”, ka shkruar Bajrami ndër tjera.










