Listat për këshilltarë komunash nuk do të jenë tregues i saktë se kush sa vota ka – tha kryetari i Alternativës Zeqirija Ibrahimi në emisionin HAJDE FLASIM të TV21. Sipas tij, VLEN nuk ka lista për këshilltarë nëpër gjitha komunat, andaj shton se matja e pushteti lokal do të matet me atë se kush i fiton komunat.
“Ka plot komuna në të cilat ne nuk kemi lista fare. Për shembull në Çashkë, në komunën e Ohrit ku është një listë qytetare. Andaj nuk është se e kemi kriterin e saktë se për ta ditur se kush është fitues. Ky është pushtet lokal dhe do matët me atë se kush e fiton pushtetin lokal. Matja e pushtetit lokal matet me atë se kush i fiton komunat”, tha Ibrahimi.
-Megjithatë këtu është VMRO DPMNE, i cili është partner i koalicionit tuaj qeverisës, dhe ju keni marrëveshje që ata do ju mbështesin në komunat me shumicë shqiptare dhe këtu është e vështir të vlerësohet numri i qartë se sa vota keni.
“Nëse doni ta kthejmë temën se kush e ka mbështetjen e popullit, ajo do të shihet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Zgjedhjet parlamentare janë tregues i mbështetjes së politikave tona Qeveritare”, theksoi Ibrahimi.
-Që i bie se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare edhe nëse i humbni lokalet.
“Nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme. Ne nuk kemi arsye që të kemi zgjedhje parlamentare, sepse ne i fitojmë zgjedhjet lokale. Eventualisht mund të ketë rikonstruim të Qeverisë. Zgjedhjet e ardhme parlamentare janë në vitin 2028”, u shpreh Ibrahimi.
Ndryshe nga VLEN tashmë kanë paralajmëruar se nëse Izet Mexhiti fiton dhe bëhet kryetar i Çairit, në vendin e tij të zëvendëskryeministrit të parë do të emërohet deputeti Bekim Sali. Në këtë mënyrë partia Alternativa në kuadër të VLEN-it, do t’i ketë dy postet më të mëdha që i takojnë shqiptarëve, duke pasur parasysh se edhe posti i kryetarit të kuvendit i takon pikërisht kësaj partie.