Ibrahimi thotë se BDI dëshiron përçarjen e opozitës, shpreson për një kandidat të përbashkët shqiptar për president

Bashkëpunimi i frontit opozitar mes Lëvizjes Besa, Alternativës dhe lëvizjes së re të Izet Mexhitit po shkon në rrugën e duhur. Kështu u shpreh sekretari i Alternativës Zeqirija Ibrahimi. Ai në një intervistë për TV21 thotë se në partinë e tyre nuk ka pakënaqësi nga bashkëpunimi opozitar siç kishte në Lëvizjen Besa, duke aluduar për largimin e nënkryetarit të kësaj partie, Arjanit Hoxha dhe vendimin e tij për formimin e një lëvizjeje të re. Pikërisht për të Ibrahimi tha se është BDI ajo që po i formon këto parti, me qëllim përçarjen e opozitës shqiptare. Në këtë mënyrë Ibrahimi thotë se BDI ka vepruar edhe në vitin 2016 me Gëzim Ostrenin dhe Vesel Memedin.

Për partinë e parë që është në krijim e sipër nga Soravia është ajo që veçmë kanë dalë nga Lëvizja Besa, kurse pjesa tjetër janë, një pjesë e ish bashkëpartiakëve tanë që tashmë nuk janë në Alternativë dhe janë në shitje për merkaton e radhës”, tha Zeqirija Ibrahimi – Sekretar i Alternativës.

Bashkëpunimi opozitar siç thotë Ibrahimi, përfshinë edhe bashkëpunimin në zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Ai thotë se do ta shqyrtojnë mundësinë që të nxjerin një kandidat të përbashkët për president, ndërsa lë mundësinë e hapur që të bashkëpunojnë me të gjitha partitë shqiptare për kandidat shqiptar mbipartiak.

Akoma është herët, gjithsesi se ne duhet të kemi një kandidat për president dhe sigurisht ai do të jetë kandidat i përbashkët i partive opozitare shqiptare. Gjithsesi se do të jemi të hapur për të komunikuar me të gjitha partitë që të mund të kandidojmë edhe vetëm një shqiptarë poqëse jemi dakord që ai të jetë një kandidat mbipartiak”, dekalroi Zeqirija Ibrahimi – Sekretar i Alternativës.

Ibrahimi është i bindur se në zgjedhjet e ardhshme parlamentare opozita shqiptare ka kapacitet për ta mposhtur BDI-në, madje për këtë thotë se i tepron kapaciteti. Kalimin e BDI-së në opozitë, sipas tij shqiptarët e kërkojnë si uji në shkretëtirë. Sa i përket ndryshimeve kushtetuese pa largimin e 20% për gjuhën shqipe, Ibrahimi tha se do të vendosë kryesia qendrore nëse do t’i votojnë këto ndryshime.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu