Incident në aeroplan, alarmohet ushtria amerikane

Ushtria amerikane ka dërguar dy aeroplanë luftarakë për të përcjellë aeroplanin e udhëtarëve “American Airlines” deri në aeroportin ndërkombëtar në Honolulu të SHBA. Ngjarja ka ndodhur kur në aeroplanin e udhëtarëve ishte paraqitur një incident, në të cilin ishte përfshirë një shtetas turk, njoftuan zyrtarët.

“Aeroplanët F-22 shoqëruan aeroplanin e udhëtarëve deri në aeroplan në pajtim me procedurat e brendshme të mbrojtjes. Policia lokale është përgjigjur sapo aeroplani civil kishte aterruar”, tha zëdhënësi i komandës së forcave ajrore amerikane Dave Benam, transmeton të shtunën Reuters.

FBI, ushtria dhe kompania ajrore amerikan deri më tash nuk kanë precizuar se për çfarë lloji të incidentit bëhet fjalë, derisa mediat lokale transmetojnë se një udhëtar tentoi të hyjë me dhunë në kabinën e aeroplanit, i cili nga Los Anxhelosi po fluturonte drejt Honolulu.

“Udhëtari problematik është qetësuar nga një polic që ishte jashtë detyre dhe anëtarët tjerë të ekuipazhit, ndërsa aeroplani aterroi në ora 11:35 me kohë të Havajeve”, thanë zyrtarët.

Në incident nuk është lënduar askush, transmeton KosovaPress.

“Autoritetet federale po përgatitin akuzë kundër shtetasit turk Anil Uskanil (25) për pengim të ekuipazhit”, ka thënë agjenti special i FBI-së, Pol Delakort në konferencën për media në Honolulu. I pyetur nëse Uskanil kishte tentuar të hyjë në kabinën e pilotëve, ai tha se shtetasi turk ishte duke kaluar ndërmjet ulëseve me “motive të paqarta”.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu