INTUITA – Tetovë promovoi trashëgiminë folklorike të Pollogut përmes fjalës letrare dhe artit

Më 15 maj 2026, me fillim në ora 16:00, në hapësirat e SHFK ,,Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”, Poroj/Xhepçisht – Tetovë, u realizua manifestimi letrar ,,Folklori i Pollogut në manifestimet letrare të shekullit XXI”, organizuar nga Shoqata kulturore ,,INTUITA” – Tetovë.

Manifestimi kishte për qëllim promovimin e vlerave folklorike të rajonit të Pollogut dhe paraqitjen e ndikimit të tyre në letërsinë dhe kulturën bashkëkohore. Në qendër të aktivitetit ishte ideja se folklori nuk është vetëm kujtim i së kaluarës, por një pasuri e gjallë shpirtërore, e cila vazhdon të frymëzojë krijues, nxënës, studiues dhe dashamirë të kulturës.

Në kuadër të programit u prezantuan materiale letrare, artistike dhe multimediale, përmes të cilave u sollën në vëmendje këngët popullore, gojëdhënat, legjendat, simbolet, traditat dhe kujtesa kulturore e Pollogut. U theksua se kjo trevë, me pasurinë e saj folklorike dhe shpirtërore, mbetet një burim i rëndësishëm për krijimtarinë letrare të shekullit XXI.

Një pjesë e veçantë e manifestimit ishte prezantimi i temës ,,Roli i folklorit dhe i trashëgimisë kulturore të Pollogut në letërsinë dhe kulturën bashkëkohore”, e përgatitur nga Mr. Mimoza Jahiu, në bashkëpunim me Shoqatën ,,Albanika ET”. Kjo paraqitje kontribuoi në thellimin e diskutimit mbi rëndësinë e trashëgimisë folklorike si burim identiteti, frymëzimi dhe vetëdijeje kulturore.

Vëmendje të posaçme morën edhe pjesëmarrjet e nxënësve, të cilët me krijimet dhe interpretimet e tyre dëshmuan se dashuria për letërsinë dhe folklorin mund të kultivohet që në bankat shkollore. Me krijimet e tyre u paraqitën nxënëset e Grupit letrar të SHFK ,,Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”, Poroj/Xhepçisht – Tetovë: Melda Ramadani, Ina Rustemi dhe Melisa Imeri, nën udhëheqjen e Prof. Hedije Nuredini.

Po ashtu, pjesë e programit ishte edhe Grupi letrar nga shkolla periferike e fshatit Gjermë, me nxënëset Azra Kajrimani dhe Semire Tahiri, të udhëhequra nga Prof. Lorita Salihi. Paraqitjet e tyre i dhanë manifestimit freski krijuese dhe dëshmuan rëndësinë e përfshirjes së të rinjve në aktivitete kulturore.

Atmosfera artistike u pasurua me interpretimin në violinë nga nxënësi Laurent Halili, i cili me performancën e tij i dha aktivitetit një ngjyrim të veçantë emocional. Në manifestim mori pjesë edhe studentja Agnesa Mediu, duke përfaqësuar interesimin e brezit të ri akademik për letërsinë, kulturën dhe trashëgiminë popullore.

Për realizimin e aktivitetit kontribuoi edhe drejtori i SHFK ,,Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”, z. Bujar Islami, me përkrahjen dhe bashkëpunimin e tij institucional, duke mundësuar që manifestimi të zhvillohej në një atmosferë të ngrohtë arsimore e kulturore.

Në përmbyllje, Shoqata kulturore ,,INTUITA” – Tetovë falënderoi të gjithë pjesëmarrësit, bashkëpunëtorët, nxënësit, mësimdhënësit dhe të pranishmit për kontributin e tyre. U theksua synimi që ky manifestim të vazhdojë si traditë e përvitshme, në shërbim të ruajtjes dhe promovimit të folklorit, letërsisë dhe trashëgimisë kulturore të Pollogut.

Ky aktivitet dëshmoi se folklori i Pollogut vazhdon të jetë burim frymëzimi, kujtese dhe krenarie kulturore për brezat e sotëm dhe ata që do të vijnë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu