Irani refuzon planin me 15 pika të Trumpit: Shumë po kërkon

Irani ka deklaruar se kërkesat e presidentit amerikan janë “të tepruara”, pasi ka shqyrtuar planin me 15 pika të propozuar nga Donald Trump. Sipas një zyrtari të cituar nga televizioni shtetëror iranian, Teherani nuk i konsideron të pranueshme këto kushte.

Zyrtari theksoi se Irani do ta përfundojë luftën vetëm në momentin që e gjykon vetë të përshtatshëm dhe vetëm nëse plotësohen kushtet e tij.

Ai nënvizoi gjithashtu se Irani nuk do të lejojë që presidenti amerikan të diktojë kohën e përfundimit të konfliktit.

Sipas tij, përmes një ndërmjetësi, Irani i ka bërë të qartë SHBA-së se do të vazhdojë të mbrohet dhe ka paraqitur pesë kushte kryesore për përfundimin e luftës:

ndërprerjen e agresionit dhe vrasjeve të synuara;

vendosjen e mekanizmave konkretë që garantojnë se Irani nuk do të sulmohet më;

kompensimin e dëmeve të luftës dhe pagesën e reparacioneve;

përfundimin e luftimeve në të gjitha frontet dhe për të gjitha grupet e përfshira në rajon;

njohjen ndërkombëtare dhe garanci për autoritetin e Iranit mbi Ngushticën e Hormuzit.

Këto zhvillime vijnë pasi zyrtarë pakistanezë konfirmuan se Irani e ka marrë propozimin amerikan me 15 pika për t’i dhënë fund sulmeve mes SHBA-së dhe Izraelit, shkruan skynews.

Ndërkohë, Trump ka deklaruar se SHBA është në negociata me Iranin për një armëpushim, duke pretenduar se po komunikojnë me “njerëzit e duhur” dhe se pala iraniane është e interesuar për një marrëveshje.

Megjithatë, autoritetet iraniane e kanë mohuar vazhdimisht ekzistencën e këtyre negociatave. Madje, së fundmi, një zëdhënës ushtarak ironizoi duke thënë se SHBA në fakt po negocion me vetveten.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu