Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka deklaruar se do t’i qëndrojnë ballë Albin Kurtit të Vetëvendosjes dhe se partia e tij nuk frikësohet as atij e as zgjedhjeve, transmeton Gazeta Metro.
Mustafa ka komentuar rezultatin e zgjedhjeve lokale në Podujevë ku fitues doli kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi, duke thënë se fitoi ai që i la kosovarët pa viza.
Kreu i LDK’së tha se nuk pajtohet me Kurtin se kjo ishte referendum duke shtuar se janë të gatshëm të garojnë dhe se nuk i frikësohen zgjedhjeve.
Tutje Mustafa e cilësoi Kurtin si propagandues mjaftë të shkathtë dhe e shtjellon mirë atë.
“Zotri Kurti është mjaft i shkathtë në propagandë dhe mendoj se këtë e shtjellon mjaft mirë. Referendum me dalje prej 40 përqind të qytetarëve nuk ka,referendum në kohë pandemi nuk ka, referendum për 10 muaj të qeverisjes së një komune nuk ka. Referendumet janë tjera mirëpo atij i nevojitet kjo që të krijoj një ambient dhe të bëj fushatë për zgjedhjet e tjera. Këtu ndoshta kemi gabuar edhe ne sepse se kemi konsideruar si referendum. Këtu duhet të marrim mend prej kësaj pune”,tha Mustafa në Klan Kosova.
“Sa i përket asaj se çfarë do të ndodhë në të ardhmen qoftë në zgjedhjet lokale apo qendrore ne i qëndrojmë ballë Albin Kurtit dhe jemi të gatshëm që të garojmë. Në asnjë rast nuk i frikohemi zgjedhjeve edhe pse jepen analiza të llojllojshme, sondazhe e anketa me rezultate të llojllojshme. Çdo moment qe garojmë ne dalim për të fituar”, shtoi Mustafa.
Mustafa u pyet se a është shkaktar Bulliqi që sot Kosova nuk e ka liberalizimin e vizave, ai tha se është i bindur që ai ka qenë shkaktari.