Dy prona në Komunën e Butelit dyshohet të jenë të ish Avokatit të Shtetit, Fehmi Stafa por që të njëjtat nuk i ka deklaruar, përtësisht i ka në emër të familjarëve. Parcela me numër 288/1 dhe 2854 në rrugën Drimkol rezultojnë në emrat Betim Stafa dhe Ferdete Stafa. Burime të Alsat në rrethana jo zyrtare bëjnë të ditur se dy emrat e lartpërmendur janë i biri i Fehmi Stafës dhe e ëma.
Në listën e fundit anketuese në cilësinë e Avokatit të Shtetit, Stafa nuk ka paraqitur dy pronat, përkatësisht shtëpitë në lagjet elitare të Butelit me vlerë afër 1 milion euro. Kjo bie ndesh me nenin 395-a nga Kodi Penal, ku mos paraqitja e pasurisë nga personat zyrtarë ose manipulimi me fletën anketuese para, gjatë funksionit dhe pas shkarkimit ose përfundimit të mandatit paraqet vepër penale.
“Veprimtaria në kundërshtim me dispozitat ligjore për deklarimin e pasurisë dënohet me burg nga 6 muaj deri në 5 vjet, duke përfshi edhe gjobë”, thuhet në Kodin Penal, neni 395-a.
Nga ajo që ka siguruar Alsat, Stafa gjatë ushtrimit të detyrës Avokat i Shtetit ka deklaruar vetëm një tokën të blerë. Statusi i saj nëse është ose jo ndërtimore nuk dihet. Vlera e saj shkon mbi 4,6 milion denarë. Një huamarrja me vlerën e njëjtë të tokës, 4,6 milion denarë dhe një kredi të vitit 2016 mbi 2,1 milion denarë të cilin obligohet ta paguaj deri në vitin 2041./ Alsat.mk







