Kanë mbetur edhe pak ditë deri në rifillimin e procesit më të madh dhe më të ndjeshëm gjyqësor që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ku po gjykohen ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Pas gati dy vitesh procedura intensive, më 9 shkurt pritet të nisin seancat me fjalët përfundimtare të palëve, një fazë kyçe që shënon hyrjen e procesit në etapën e fundit. Nga 9 deri më 18 shkurt, Prokuroria e Specializuar, mbrojtja dhe trupi gjykues do të paraqesin konkluzionet e tyre përfundimtare lidhur me akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të cilat të akuzuarit i kanë mohuar vazhdimisht. Në përfundim të kësaj faze, secili nga katër të akuzuarit do të ketë të drejtën e fjalës së fundit, me nga 20 minuta në dispozicion për të paraqitur personalisht versionin e tij mbrojtës. Pas mbylljes së fjalëve përfundimtare, trupi gjykues ka afat deri në 90 ditë për të shpallur vendimin e shkallës së parë në rastin “Thaçi dhe të tjerët”, një vendim që pritet me interes të madh politik, juridik dhe publik në Kosovë dhe më gjerë.
Gjykimi ka nisur më 3 prill 2023 dhe gjatë këtij procesi kanë dëshmuar qindra dëshmitarë të Prokurorisë, si dhe shtatë dëshmitarë të mbrojtjes, përfshirë ish-zyrtarë të lartë amerikanë dhe diplomatë ndërkombëtarë që kishin rol të rëndësishëm gjatë luftës së fundit në Kosovë, duke e kthyer këtë çështje në një nga proceset më të gjata dhe më komplekse në historinë e drejtësisë ndërkombëtare për Kosovën.










