Ish-presidenti i SHBA-ve, Joe Biden, është diagnostikuar me një formë agresive të kancerit të prostatës, e cila i është përhapur edhe në kocka, kështu thuhet në një deklaratë zyrtare të zyrës së tij personale të publikuar të dielën.
Sipas mjekëve, Biden, 82 vjeç, është përballur kohët e fundit me simptoma urinare të shtuara dhe, pas ekzaminimeve, u zbulua një nodul në prostatë. Testimet konfirmuan se bëhet fjalë për kancer me një rezultat Gleason 9 (Grupi i Gradës 5), që tregon një formë shumë agresive të sëmundjes.
Megjithatë, lajmi i vetë mjekëve është se kanceri është i ndjeshëm ndaj hormoneve, çka mundëson një trajtim më të efektshëm për menaxhimin e tij. Familja e Biden është në kontakt të vazhdueshëm me mjekët për të shqyrtuar opsionet e trajtimit.
Aktualisht, Biden ndodhet në shtëpinë e tij në Wilmington, Delaware, ndërsa ende nuk është bërë e ditur se në cilin institucion po trajtohet konkretisht.
Kujtojmë se në muajin shkurt 2024, gjatë një kontrolli rutinë në qendrën ushtarake Walter Reed, mjekët nuk konstatuan shqetësime të reja shëndetësore, duke e cilësuar atë “të aftë për detyrë”.
Pas largimit nga Shtëpia e Bardhë, Biden ka qëndruar më tepër jashtë vëmendjes publike, por së fundmi është rikthyer me disa paraqitje, përfshirë një intervistë në “The View”, ku mohoi zërat për përkeqësim të gjendjes së tij mendore.