Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov ka kërkuar nga Shtetet e Bashkuara, BE-ja, NATO dhe Turqia që të dënojnë dhe ta hedhin poshtë platformën e partive shqiptare për shkak të asaj që e konsideron si “përmbajtje e rrezikshme për shtetin maqedonas”.
Qëndrimet e tyre ndaj vendimit të Ivanov për të mos mandatuar kreun e LSDM-së Zoran Zaev për krijimin e qeverisë së re në Shkup, në bashkëpunim me partitë shqiptare, Uashingtoni dhe Brukseli i kanë bërë mëse të qarta.
I pari përmes ambasadorit Jess Baily, ndërsa i dyti përmes kryediplomates së tij, Federica Mogherini gjatë vizitës së javës së kaluar në kryeqytetin maqedonas.
Por edhe pse SHBA dhe BE nuk lanë rast pa treguar se kreu i shtetit duhet të respektojë parimet demokratike dhe të lejojë formimin e qeverisë atyre që siguruan shumicën e votave në Parlament, Gjorgje Ivanov përgjigjet me mënyrën më befasuese të mundshme.
Përmes një letre dërguar presidentit amerikan Donald Trump; kryetarit të Këshillit të Evropës, Donald Tusk; sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg dhe presidentit të Turqisë, Rexhep Tayyip Erdogan, ai deklaron se dënimi i platformës së hartuar në Tiranë nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama do të ishte mënyra më e mirë për kapërcimin e krizës politike në Maqedoni.
Platforma shqiptare, veç tjerash parasheh rregullimin e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe, e pranuar edhe nga LSDM-ja opozitare, e cila ka arritur marrëveshje koalicioni me partitë politike shqiptare.
“Vlerësoj se dënimi dhe hedhja poshtë e këtij dokumenti është rruga e vetme për daljen nga qorrsokaku në të cilin kemi hyrë. Vetëm në këtë mënyrë do të arrijmë qëllimet e Marrëveshjes së Perzhinës, reformat prioritare, stabilitetin politik, uljen e tensioneve e ndëretnike dhe ndërpartiake në Maqedoni, si dhe kthimin e shtetit në rrugën e integrimit euro-atlantik”, ka shkruar Ivanov.
“Pres që të dënoni përzierjen flagrante në punët e brendshme të Maqedonisë të dy shteteve fqinje, aspirante për anëtarësim në BE. Pres që më në fund të dërgoni mesazh të fuqishëm për paprekshmërinë e kufijve të Ballkanit dhe të riafirmoni perspektivën euro-atlantike të vendeve të rajonit”, ka shtuar presidenti maqedonas.
Letra e tij erdhi pas mbledhjes së ministrave të Punëve të Jashtme të BE-së në Bruksel, të cilët shprehën shqetësimin për zhvillimet e fundit në Maqedoni./ Top Channel
MAQEDONI = SHQIPERI