Letra e fundit e presidentit Ivanov dërguar liderëve dhe diplomatëve të lartë shtetërorë ishte vetëm një tentim i tij i dështuar për të shitur një përrallë të trilluar nga VMRO-DPMNE dhe për të mashtruar faktorin ndërkombëtarë, vlerësojnë analistët politik. Ndërkaq porositë e fundit të diplomatëve ndërkombëtarë ata i shohin si një përgjigje të drejtpërdrejtë ndaj Ivanovit për të cilin thonë se tanimë është ngjitur për muri dhe ka marrë mesazh të fuqishëm se nga askush nuk ka mbështetje.
“Presidenti Ivanov tentoi të shesë një përrallë të VMRO-DPMNE-së e cila duket se ka ndezur këtu në Maqedoni dhe u është besuar në Maqedoni dhe tentoi që të njëjtën ta shesë edhe jashtë. Faktori ndërkombëtarë nuk janë aq naiv saqë të besojnë në përralla dhe problem të sajuara siç është çështja gjoja e platformës shqiptare, pasi e njëjta platformë është në kuadër të Kushtetutës së Maqedonisë dhe e njëjta u pranua edhe nga VMRO-DPMNE”, tha analisti Xhelal Neziri.
“Zoti Ivanov është ngjitur për muri. Edhe vetë është I vetëdijshëm se i ka shkelur të gjitha parimet morale, etike dhe kushtetuese që ta bëjë atë që duhet ta bëjë, t’ia jep mandatin zotit Zaev. Komunikimi me bashkësinë ndërkombëtare është përpjekja e tij e fundit ta arsyetojë sjelljen e tij e cila është bërë tanimë transparente dhe infantile në sytë e bashkësisë ndërkombëtare”, tha analisti Agim Jonuz.
Sipas analistit Xhelal Neziri, shkak për reagimet e këtilla të faktorit ndërkombëtarë ndaj Ivanovit dhe VMRO-DPMNE-së, nuk është vetëm mungesa e argumenteve të Ivanovit për veprimet e tij. Ai thotë se asnjë shtet në botë nuk përkrah politikan të dyshuar për korrupsion dhe inkriminim.
“Përgjigjet janë të kuptueshme, asnjë qeveri, asnjë diplomat, asnjë qendër e vendosjes ndërkombëtare, rajonale, nuk përkrah politikan të korruptuar dhe të inkriminuar pa marrë parasysh se cilës proviciencë politike i takojnë, qoftë të djathtë, të majtë, liberal, demokrat e kështu me radhë”, theksoi Neziri.
Analistët thonë se përgjigja e përbashkët që të gjithë diplomatët dhe zyrtarët ndërkombëtarë i kanë dhënë presidentit Ivanov është që ai të respektojë Kushtetutën dhe shumicën parlamentare dhe ti jep mandatin liderit të LSDM-së, Zoran Zaev. Pas këtyre porosive ata vlerësojnë se Ivanovit nuk i ka ngelur më shumë hapësirë për hapa dhe manovrime të tjera politike./shenja/