I deleguari i VMRO-DPMNE-së e kryetari i Maqedonisë, Gjorge Ivanov i ka vazhduar sulmet e tija të ngjashme me partinë e Nikolla Gruevskit për kërkesën për gjuhën shqipe të përfshirë në deklaratën/platformën e partive shqiptare të vendit të 7 janarit.
Ivanovi ka deklaruar për televizionin nacional të Kroacisë (HTV), se kjo platformë ka për qëllim ta ndryshon rendin kushtetues të Republikës së Maqedonisë, transmeton Vest.
Sipas tij Maqedonia nga një shtet multietnik dhe shtet unitar, sipas kësaj deklarate do të shndërrohej në shtet bietnik.
Por ai manipulon kur thotë se si shembull mund të thuhet se Maqedonia do të jetë Qiproja, vetëm se Maqedonia nuk është ishull.
Ivanovi thotë qëllimi i kësaj deklarate është që gjuha shqipe të jetë e barabartë me atë maqedonase si dhe të ndryshohet amendamenti kushtetues i cili rrjedh nga Marrëveshja e Ohrit, ku thuhet se komunitetet në Maqedoni të drejtat e tyre i fitojnë në bazë të përfaqësimit të tyre prej 20% në shtet.
Presidenti i shtetit manipulon po ashtu kur thotë se kërkesat e shqiptarëve për gjuhën do të cenojnë të drejtat e pakicës turke, serbe dhe rome.
“Qëllimi i platformës së Tiranës është që ato 20 për qind të ndryshohen, gjuha shqipe të barazohet me gjuhën maqedonase… dhe me këtë shkurtohen të drejtat ( e të tjerëve) që i kanë në Maqedoni. Sepse turqit kanë komunë në të cilën gjuhë zyrtarë është gjuha turke, shkollat janë në gjuhën turke. Në kemi komunën rome, në të cilën gjuha e romëve është zyrtare, gazeta zyrtare është në gjuhën rome, shkollat janë në gjuhën rome, por gjithashtu edhe serbët kanë komunën në gjuhën serbe. Ashtu që me platformën e Tiranës ato të drejta do t’ju takojnë vetëm një komuniteti. Vetëm shqiptarët do të kishin të drejta”, ka deklaruar mes tjerash Ivanov.