Izet Mexhiti: BDI i fshinte shqiptarët nga qytetet dhe fshatrat, ka ardhur koha e përgjegjësisë për tradhtinë kombëtare

Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, ka reaguar ashpër ndaj Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), duke i akuzuar për manipulime dhe fshirje të shqiptarëve gjatë procesit të regjistrimit të popullsisë në vitin 2021.

“E kuptoj nervozizmin e BDI-së sa herë që hapet tema e regjistrimit të popullsisë. Ata më së miri e dinë se derisa kryhej operacioni i fshirjes së shqiptarëve, ata merreshin me operacione të pasurimit dhe nuk i interesonte asgjë tjetër,” deklaroi Mexhiti.

Ai shton se sot po përpiqen të mbulojnë të kaluarën përmes patriotizmit të rrejshëm në Facebook, duke tentuar të justifikojnë atë që e quan tradhti kombëtare.

Rasti i Strugës – Mbi 5.000 shqiptarë “të harruar” nga regjistrimi

Mexhiti publikoi disa të dhëna shqetësuese nga regjioni i Strugës, ku sipas tij, numrat e votuesve në zgjedhjet e vitit 2024 tejkalojnë ndjeshëm numrin e të regjistruarve në vitin 2021:
• Në fshatin Ladorisht, janë regjistruar 1.344 banorë mbi moshën 18 vjeç, ndërsa në zgjedhjet e 2024-ës kanë votuar 2.397 persona – pra, mbi 1.000 votues më shumë.
• Në fshatin Veleshtë, janë regjistruar 2.196 persona, ndërsa kanë votuar 2.377 – rreth 200 më tepër.
• Në fshatin Livadhi, gjithashtu numri i votuesve ka tejkaluar atë të të regjistruarve.

Sipas tij, vetëm në këto tre fshatra mungojnë mbi 5.000 shqiptarë në evidencat zyrtare.

“Koha e heshtjes mbaroi – do të ketë përgjegjësi”

“BDI me politikat e saj destruktive jo vetëm që shpërnguli qindra mijëra shqiptarë jashtë vendit, por edhe ata që mbetën, i fshiu nga regjistrat,” theksoi Mexhiti.

Ai paralajmëron se numri i përgjithshëm i shqiptarëve të fshirë në nivel republikan është tronditës, dhe për këtë do të kërkohet përgjegjësi:

“Prandaj po bërtisni! Prandaj s’jeni rahat! Ka ardhur koha për përgjegjësi për tradhtitë kombëtare – dhe përgjegjësi do të ketë!”


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu