Izraeli apo Turqia do negociojë fundin e luftës në Ukrainë?

Një këshilltar i lartë i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky sugjeroi se kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, mund të shërbejë si negociator midis Moskës dhe Kievit për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Mykhailo Podolyak solli edhe një herë në vëmendje idenë që u hodh poshtë në muajt e parë të konfliktit në Ukrainë. Deri më tani vendtakimi i palëve ka qenë Turqia, ndërsa në Ankara e Stamboll janë zhvilluar bisedime edhe mes amerikanëve dhe rusëve.

Por edhe izraelitët nuk ngelen prapa si negociatorë. Ish-kryeministri izraelit, Naftali Bennett veproi si ndërmjetës mes palëve ndërluftuese pranverën e kaluar, duke përdorur marrëdhëniet e mira të Izraelit me të dyja vendet për të transmetuar mesazhe mes Zelenskyt dhe presidentit rus, Vladimir Putin.

Ish-kryeministri Bennett madje fluturoi në Moskë, duke u bërë një nga liderët e parë botërorë që takoi Putinin në atë fazë të hershme të luftës. Mediet izraelite shkruajnë se Netanyahu, nga ana tjetër, tha se iu afrua për të ndërmjetësuar mes Zelenskyt dhe Putinit kur ai ishte lider i opozitës, por ia la këtë punë qeverisë.

Për shkak të pozicioni që ka ruajtur Izraeli, me diplomacinë e vet të fortë dhe në koordinim me amerikanët, sipas shumë analistëve, ai mund të kthehet në aktor të rëndësishëm për komunikimin mes palëve dhe ndërtimin e tryezave diplomatike që mund t’i japin fund luftës.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu