Izraeli: I kemi shkatërruar raketëhedhësit iranianë, kemi kontroll të plotë ajror mbi Teheranin

Ushtria izraelite ka njoftuar se ka vendosur kontroll të plotë ajror mbi Teheranin dhe se ka shkatërruar një pjesë të konsiderueshme të kapaciteteve raketore të Iranit gjatë sulmeve të fundit, raporton BBC.

“Kemi arritur kontroll të plotë mbi hapësirën ajrore të Teheranit,” deklaroi gjenerali i brigadës Efi Defrin, zëdhënës i ushtrisë izraelite.

Gjatë një deklarate për mediat, ai shtoi se që nga fillimi i operacionit izraelit janë shkatërruar mbi 120 lëshues të raketave tokë-tokë, që përbëjnë rreth një të tretën e totalit të disponueshëm nga Irani.

Sipas tij, mbi 20 lëshues janë shkatërruar vetëm gjatë sulmeve të mbrëmshme, “vetëm disa minuta para se të përdoreshin për të lëshuar raketa drejt Izraelit”.

Defrin gjithashtu tha se forcat ajrore izraelite kanë kryer një valë të madhe sulmesh ndaj rreth 100 objektivave ushtarake në Isfahan, në Iranin qendror. Në sulm u përfshinë rreth pesëdhjetë avionë luftarakë, të cilët kishin si objektiv magazina raketash, sisteme lëshimi dhe qendra komanduese.

Izraeli thotë se sulmet janë pjesë e një operacioni më të gjerë që synon të zvogëlojë përfundimisht aftësinë e Iranit për të lëshuar raketa drejt territorit izraelit.

Irani ende nuk e ka konfirmuar publikisht përmasën e humbjeve të tij.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu