Izraeli poshtëron Parlamentin Europian

Izraeli ka ndaluar hyrjen në vend të Manuel Pinedit, një politikan komunist spanjoll nga koalicioni i Majtë e Bashkuar, i cili është anëtar i Parlamentit Evropian (PE) dhe gjithashtu kryetar i delegacionit për marrëdhëniet midis Bashkimit Evropian dhe Palestinës, raporton Anadolu Agency (AA).

Pineda tha në një postim në Twitter se ai kishte anuluar një mision që duhej të drejtonte të hënën për të vlerësuar situatën aktuale të palestinezëve.

Ai ndau gjithashtu një dokument refuzimi të lëshuar nga Ministria e Jashtme izraelite.

Sipas “informacioneve të marra nga autoritetet kompetente në Izrael”, ministria vendosi të mos “aprovojë” mbërritjen e Pinedës në vend, thuhet në deklaratë, pa dhënë një arsye.

Pineda akuzoi Izraelin për “bllokim të punës së Parlamentit Evropian”.

“Ishte planifikuar që misioni të takohej me Autoritetin Palestinez dhe shoqërinë civile, për të parë pasojat e pushtimit në jetën e përditshme të popullsisë palestineze në territor, si dhe për të parë efektet e politikës së bashkëpunimit të Bashkimit Evropian”, ka thënë Pineda.

I pakënaqur për vendimin e autoriteteve izraelite u shpreh edhe presidenti i Parlamentit Evropian, Robert Metsola.

“Këtë çështje do ta ngre direkt tek organet kompetente. Respekti për anëtarët e Parlamentit Evropian është thelbësor për marrëdhënie të mira”, ka shkruar Metsola në Twitter. /tesheshi.com/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu