Çmimet e karburanteve në Kosovë kanë shënuar rritje ditët e fundit si pasojë e tensioneve në Lindjen e Mesme, ndonëse trendi i fundit në bursat ndërkombëtare sugjeron një rënie të mundshme pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump.
Aktualisht, një litër dizel në tregun vendor po shitet nga 1.39 € deri në 1.60 €, ndërsa benzina luhatet mes 1.27 € dhe 1.39 €. Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, ka bërë të ditur për Kosovapress se luhatjet e fundit janë reflektim i pasigurisë në tregjet globale, por thekson se Kosova mbetet konkurruese në rajon.
“Sot çmimet e derivateve të naftës në tregun kosovar sillen përafërsisht 1.39 deri në 1.60 centë për dizel. Qytetarët e Kosovës po furnizohen me çmimet më të lira në regjion, përveç Maqedonisë së Veriut e cila ka akcizë më të ulët. Rritja është shkaktuar nga situata globale dhe lufta në Iran, por tani trendi është në rënie. Nafta po bie, por problemi është se çmimet në markete nuk po ulen,” u shpreh Berjani për Kosovapress.
Sipas tij, kjo krizë është në tërë botën. “Për momentin është trendi në rënie, nuk është e saktë, bursa mbyllet në ora 22:00, atëherë e dimë në ora 22:00 se çfarë çmime do të kemi për nesër”, nënvizon Berjani. Ai ka kritikuar edhe rritjen e çmimeve në markete dhe shërbime të tjera, duke thënë se ato shpesh lidhen me çmimin e naftës edhe kur ky i fundit është në rënie.
Derisa apelon kompanitë e autobusëve të mos rrisin çmimet e biletave, pasi siç thotë ai, çmimet e derivateve do të vinë në nivelin e rënies.
Ndërkohë, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka ndërhyrë përmes vendimit për caktimin e çmimeve tavan, duke kufizuar marzhën tregtare në 2 centë për shitjen me shumicë dhe 12 centë për pakicë. Ky vendim erdhi pasi nafta në bursa preku vlerën prej 120 dollarëve për fuçi të hënën, përpara se të pësonte një rënie prej rreth 7% si pasojë e paralajmërimeve të SHBA-së ndaj Iranit për mbajtjen hapur të rrugëve të transportit detar./INA/










