Në librin “Lufta pa Maska”, të autorit Gani Geci, ndër ngjarjet e shumta që rrëfehen, është ajo edhe kur Adem Jashari kishte kundërshtuar kyçjen e Sabit Gecit në UÇK.
Geci thotë se Sabit Geci kishte një të kular shumë të dyshimtë.
“Shkova te Sylejman Selimi në Açarevë, ku mora vesh se çka po veprohej. Gjërat kishin ndryshuar nga një vit më parë. Njësitet Guerile ishin rritur në fshatin tonë. Në luftë ishte inkuadruar edhe Sabit Geci, me një të kaluar shumë të dyshimtë.
Sabiti kishte qëndruar në burg për shkak se i kishte shkelur me automjet tre persona për vdekje (gruan me dy vajza të Selim Sylkës nga Obria), të cilit ditën tragjike iu kishte plaçkitur edhe shtëpia.
Sabiti ka qenë i shoqëruar me një prostitutë nga Bulgaria, e cila punonte në kafeterinë e tij “Drita” në Skënderaj. Komandanti e kishte kundërshtuar rreptësisht kyçjen e Sabitit në UÇK, pasi ky i fundit rrinte shumë shpesh me Ilia Trajkoviçin, komandant i policisë serbe”, rrëfen Geci në librin e tij, “Lufta pa Maska”.
Sipas Gecit, Ademi i kishte thënë Sabitit, i cili ishte bërë shok me Rexhep Selimin, se njëherë duhet të kyçej në aksione, e pastaj në UÇK.
“Ademi i kishte thënë Sabitit se së pari duhet të kyçesh në aksione e pastaj në UÇK. Sabiti e kishte bërë shok Rexhep Selimin, njeriun e LPK-së, i cili ishte i lidhur drejtpërsëdrejti me Hashim Thaçin dhe Xhavit Halitin në Zvicër. Rexhep Selimi kishte insistuar që shokët e Komandantit Legjendar t’i përçante në të gjitha fshatrat e Drenicës, që nga Prekazi, Llausha, Açareva e Vojniku. Ai ishte përpjekur t’ia ndante Ademit, Nuradin Lushtakun dhe Lagjen e Lushtakëve; kishte arritur ta marrë Musa Jasharin dhe t’a dërgon në Obri, kurse Fadil, Ilaz dhe Zenun Kodra e kishin refuzuar ofertën e Rexhep Selimit, të cilit i ndihmonin Sabit Geci, Abedin Rexha dhe «Maxhupi» i Shtabit të Jabllanicës”, thuhet në libër.
Gani Geci rrëfen edhe një detaj shokues për Reshep Selimin.
Sipas Gecit, Rexhep Selimi mundohej që të manipulonte shokët e ngushtë të Adem Jasharit, duke kontrolluar paratë e LPK-së, përmes Hashhim Thaçit.
“Rexhep Selimi kishte arritur të krijonte kanalin për të futur armë nga Deçani deri në Jabllanicë, e nga Jabllanica deri në Drenicë. Ai, përmes Hashim Thaçit kontrollonte paratë e mbledhura të LPK-së dhe me këto para manipulonte me njerëz. Në këtë mënyrë mundohej të manipulonte edhe me shokët e ngushtë të Ademit. Edhe pse, kur kishte shkuar për herë të parë në fshatin Prekaz Mixhës Shaban (Jashari) i kishte thënë: – Ti i ke tre djem e unë do të bëhëm djali i katërt i yti, deri në vdekje. Mirëpo ky premtim, kjo Besë, të cilën e kishte dhënë Rexhepi kishte zgjatur vetëm disa muaj deri sa e kishte njohur mirë Prekazin, Llaushën dhe fshatrat tjera, pastaj ua kishte kthyer shpinën Mixhës Shaban dhe Legjendës duke i shpërndarë armët në rrethe tjera e jo në Prekaz e Llaushë, dy fshatra këto, që në atë kohë ishin nga më të rrezikuarat në tërë Kosovën”, rrëfen Geci.
“Rexhepi ishte strehuar disa muaj në shtëpinë e Mixhës Shaban. Ky i fundit për të forcuar miqësinë dhe lidhjen e tyre, kishte dhënë vajzen e Rifat Jasharit për vëllaun e Rexhepit, Asllanin, i cili ishte student në Mitrovicë. Edhe përkundër miqësisë familjare, Rexhepi kishte vazhduar me direktiva nga LPK-ja, që Adem Jasharit t’i mbeteshin sa më pak shokë dhe e gjithë komanda e UÇK-së të mbetej në duart e tij, sikurse kishte mbetur financimi”, ka rrëfyer ish deputeti i LDK-së, Gani Geci në librin e tij “Lufta pa Maska”