Ja si lindi ideja për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë

Ende pa marrë fund nisma për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, Presidenti Hashim Thaçi nisi një aventurë të re. Shkëmbimi i territoreve me Serbinë ishte ideja për të cilën Presidenti nisi të diskutonte fshehtasi, e nuk bëri zë rreth saj për javë të tëra. Por, sikurse për shumë çështje, as për këtë i pari i vendit nuk gjeti mbështetje tek aleatët e Kosovës. Pothuajse, të gjithë këta i dolën kundër, dhe thanë se një ide e tillë mund t’i rikthejë luftërat në Ballkan, ani pse së fundi kanë filluar t’i zbusin qëndrimet. Megjithatë, Thaçi ende po insiston në idenë e tij.

Janë bërë më shumë se gjashtë vite që prej se Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi idetë për ndarjen e Kosovës dhe ndryshimin e kufijve i konsideronte si shumë të rrezikshme. Madje, kishte thënë se mund të sjellnin sërish luftëra në Ballkan.

“Ndryshimi i kufijve do të hapte “Kutinë e Pandorës” dhe do të prodhonte sërish konflikte dhe luftëra në Ballkan”, kishte deklaruar Thaçi, ditën e 16 nëntorit të 2012-ës.

Gjashtë vjet më vonë, i njëjti pasi dështoi me iniciativën për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, nisi aventurën për shkëmbimin e territoreve, në të njejtën mënyrë, fshehurazi.

I pari i vendit nuk e kishte dhënë asnjë deklaratë në atë kohë, ndërsa edhe pasi kishin raportuar mediat për një ide të tillë, ishte quajtur spekulim.

Gazeta Express kishte dërguar pyetje në Presidencë, më 14 janar, dhe kishte pyetur Shefin e Stafit, Bekim Çollakun nëse është e vërtetë se Presidenti i Republikës është pro nisjes së bisedimeve me Serbinë për shkëmbim territoresh.

Në Presidencë kishin thënë se është herët të flitet për përmbajtjen e marrëveshjes që do të arrihet me Serbinë. Madje, kishin deklaruar se në këtë fazë edhe ideja e shkëmbimit të territoreve është vetëm spekulim.

“Ndërsa se cila do të jetë përmbajtja e marrëveshjes përfundimtare historike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duhet të presim përfundimin e dialogut. Gjithçka tjetër në këtë fazë, është vetem spekulim, duke përfshirë edhe çeshtjen e ngritur nga ju”, thuhej në përgjigjen e Çollakut.

Por, tash Thaçi po e promovon vetë një ide të tillë. Madje, nuk ka asnjë ditë muajve të fundit, e që ai nuk poston në Facebook, për këtë çështje. Vetëm se tani ka vendosur që ta prezantojë idenë e tij me një tjetër emër, siç po e quan “korrigjim të kufijve”.

Për këtë ide, ai foli së fundi edhe në Forumin Evropian “Alpbach” në Austri.

Në bazë të idesë së Thaçit, Presheva, Bujanoci dhe Medvegja do t’ bashkangjiten Kosovës, ndërsa veriun do ta merr Serbia, ani pse Thaçi nuk e ka përmendur ndonjëherë një gjë të tillë. Në secilin prej postimeve, ai shkruan vetëm për pjesët që do t’i “merr” Kosova.

“Po bashkangjitjes së Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, si tërësi me Kosovën. Po njohjes reciproke Kosovë – Serbi dhe anëtarësimit të Kosovës në OKB dhe organizata ndërkombëtare. Jo ndarje, jo shkëmbim territoresh. Të tjerat fake neës. HTH”, ishte një nga postimet e fundit të Thaçit për këtë temë.

Por, Thaçit po i mungon sërish mbështetja për këtë ide, sikurse në vend ashtu edhe nga vendet mike.

Gjersa, edhe Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar disa herë se një ide e tillë do të thotë luftë, dhe se është kundër korrigjimit. Madje, sot Haradinaj tha se në dialogun me Serbinë nuk mund të bisedohet për territorin dhe kufijtë e Kosovës.

Ndërsa, partitë opozitare kanë kërkuar seancë të jashtëzakonshme para takimit të Presidentëve të Kosovës e të Serbisë në Bruksel.

Në këtë seancë të jashtëzakonshme partitë opozitare po kërkojnë të votohet një rezolutë, për siç kanë thënë ata të mbrohet integriteti territorial.

E përveç që Thaçit po i mungon përkrahja në vend, kundër idesë së tij kanë dal edhe vendet mike të Kosovës.

Disa prej vendeve aleate kanë deklaruar se një ndryshim i kufijve do të mund të sillte luftëra në Ballkan, ndërsa nga SHBA-të kërkojnë nga Kosova dhe Serbia që marrëveshja mes tyre të jetë e qëndrueshme dhe të mos krijojë tensione në Ballkan.

“Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë një marrëveshje që është e zbatueshme, e qëndrueshme dhe që nuk krijon jostabilitet në cilindo shtet apo në rajon”, kishte thënë Ambasada amerikane, në përgjigjen e saj.

Ndërkohë përmes burimeve diplomatike është mësuar se Administrata e Donald Trumpit i ka dhënë dritën e gjelbër opsionit të ndarjes së Kosovës. Sipas të njëjtit burim, ka mundësi që Trump për këtë gjë është marrë vesh me presidentin rus, Vladimir Putin, në samitin e Helsinkit.

Për këtë është deklaruar së fundmi edhe këshilltari për Siguri Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, John Bolton.

Bolton ka folur për po këtë çështje dhe ka thënë se SHBA-ja nuk i përjashton korrigjimet territoriale.

“Mirëpo unë mendoj se ka shenja të reja se të dyja qeveritë mund të kenë vullnet për të negociuar këtë çështje në heshtje. Politika jonë, politika amerikane është që, nëse të dyja palët mund të punojnë me njëra-tjetrën për të arritur një marrëveshje, ne nuk përjashtojmë korrigjimet territoriale. Nuk na takon neve”, ka thënë Bolton.

Ndërsa,Gjermania dhe Britania e Madhe janë deklaruar kundër një ideje të tillë.

Gazeta Express i ka dërguar pyetje Ambasadës së Gjermanisë në Prishtinë, e cila në përgjigjet e saj ka kundërshtuar ashpër këtë ide.Gjermanët thonë se e mbështesin pa rezervë tërësinë tokësore të Kosovës, ndërkohë që lojërat për ndarjen e territoreve i konsiderojnë shumë të rrezikshme.

“Gjermania mbështet pa rezervë integritetin territorial të Kosovës. Lojërat me mendime rreth ndarjes të territoreve sipas përkatësisë etnike i konsiderojmë të rrezikshme, prandaj i kundërshtojmë. Këtë e kanë dëshmuar në mënyrën më tragjike konfliktet e fundit të armatosura në vitet 90”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës Gjermane.

Por, më vonë Gjermania i kishte zbutur qëndrimet.

Pas telefonatës së Kancelares gjermane, Angela Merkel me Presidentin e SHBA-ve, Donal Trump, Merkel ka zbutur qëndrimin duke thënë se i përkrahë të gjitha bisedimet që sjellin rezultat por edhe integriteti territorial ekzistues është një dimension i rëndësishëm.

Edhe Britania e Madhe ka dhënë qëndrimin e saj kundër prekjes së kufijve. Në një intervistë për Televizionin 7, ambasadori Ruairi O’Connell, kishte thënë se lëvizja e kufijve sjell destabilizim.

‘Ne besojmë se thirrjet për modifikim të kufijve nacionalë mund të jenë destabilizuese’, kishte thënë ambasadori britanik.

Ndryshe, takimi i radhës në Bruksel, mes presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe homologut të tij serb, Aleksandar Vuçiq është paraparë të zhvillohet më 7 shtator, por Presidenti Thaçi ende nuk është deklaruar nëse do të diskutohet ndryshimi i kufijve.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu