Janevska shpalos shifra alarmante: Për 7 vjet, 17 mijë nxënës më pak

Në shtatë vitet e fundit, numri i nxënësve të shkollave fillore dhe atyre të mesme në Maqedoninë e Veriut është ulur për rreth 17 mijë. Këtë e bëri të ditur Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, duke u përgjigjur në pyetjen për Alsat. Sipas Janevskës, arsyet e uljes së numrit të nxënësve kanë qenë të ndryshme por kryesisht ka dominuar bashkimi familjar jashtë shtetit. Numri i nxënësve është ulur konstant gjatë gjithë vitit shkollor dhe jo vetëm në fillim të vitit shkollor.

“Në total mendoj se numri i nxënësve si në arsimin fillor ashtu edhe në atë të mesëm është ulur për rreth 17 mijë, më vjen keq që këtë e them. Numri i studentëve që studiojnë jashtë shtetit në disa vite është rreth 5 mijë ndërsa tjerët janë rreth 17 mijë nxënës. Arsyeja është ikja jashtë shtetit? Po, sepse kemi të dhëna se edhe gjatë vitit, jo vetëm në fillim, ndodhë largimi”, deklaroi Vesna Janevska, Ministre e Arsimit dhe Shkencës.

Ndërkohë sipas Ministres së Arsimit ankesa të shumta kanë arritur nga ana e prindërve lidhur me tekstet shkollore, duke theksuar se fëmijët e tyre janë pajisur me libra të grisur. Janevska kërkoi nga shkollat që në vend që nxënësve t’u shpërndajnë tekste të dëmtuara dhe të papërdorshme, të paraqesin kërkesa në MASH, për zëvendësimin me tekste të reja para fillimit të vitit të ri shkollor.

“Çdo shkollë sipas ligjit duhet të formoje komision e cila do t’i kontrolloje tekstet shkollore që nxënësit i kanë kthyer nga viti i kaluar dhe duhet të vazhdojnë me përdorimin nga nxënësit tjerë, ai komision i mbikëqyrur nga drejtori i shkollës duhet që tekstet shkollore të dëmtuara t’i ndajë anash dhe më pas nga MASH-i të kërkohet që këto tekste të jenë të përtërirë apo duhet të njoftohet Shërbimi Pedagogjik pranë Ministrisë dhe të plotësohet tirazhi i nevojshëm në sistemin elektronik që ne të mund të sjellim tekste të reja shkollore”, tha Vesna Janevska Ministre e Arsimit dhe Shkencës.

Sipas Janevskës, për prokurimin e teksteve shkollore, çdo vit, Ministria ndan rreth 660 milionë denarë dhe siç tha nuk ka nevojë që ti zhgënjejmë as nxënësit e as prindërit, të cilët me të drejtë reagojnë. /Alsat.mk


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu