Deputeti I VMRO-DPMNE-së, Igor Janushev, ka shfaqur shqetësime se partitë në pushtet LSDM-ja dhe BDI-ja janë duke përgatitur vjedhje zgjedhore, për shkak se, sic thotë, pamundësojnë zbatimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor që parashikojnë furnizimin e skenerëve për shenjat e gishtërinjve, si metodë për kontrollimin e votuesve, që do të fillonte në zgjedhjet e ardhshme lokale.
Janushevi ka kërkuar ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare, duke theksuar se edhe ata kanë përgjegjësi për zbatimin e rregullativës zgjedhore që do të mundësonin proces të drejtë zgjedhor.
“Qeveria LSDM-BDI, në Buxhetin për vitin 2021, përkundër obligimit ligjor, nuk ka parashikuar furnizimin e pajisjeve për shenjat e gishtërinjve, edhe pse ishte kërkuar nga KSHZ-ja. Janë të pavërteta pohimet se me ndryshimet e tashme të Kodit Zgjedhor, MPB-ja nuk guxon ta vendos bazën e të dhënave me shenja të gishtërinjve. Vetëm duhet ta shihni Nenin 43 të Kodit Zgjedhor që të vërtetoheni se MPB-ja dorëzon në KSHZ të dhëna dhe fotografi për qytetarët”–ka theksuar Deputeti I VMRO-DPMNE-së, Igor Janushev.









