Besnik Tahiri dhe Besian Mustafa kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre në Qeverinë në detyrë. Sipas vendimeve të nënshkruara nga kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, Besnik Tahiri ka dhënë dorëheqje nga pozita e zëvendëskryeministrit të parë dhe ministrit në Detyrë të Punëve të Jashtme.
Ndërkaq Besian Mustafa ka dhënë dorëheqje nga pozita e ministrit në detyrë të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Dorëheqjet e tyre vijnë pikërisht në ditën e konstituimit të legjislaturës së tetë të Kuvendit të Kosovës. Tahiri dhe Mustafa janë zgjedhur deputetë të kësaj legjislature. I pari është deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ndërsa i dyti është zgjedhur deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës.









