Java e re me Qeveri të re, Zaev: propozimi në Kuvend, deri të dielën

Mandatori për formimin e Qeverisë së re, Zoran Zaev, thotë se krerët e të gjitha partive politike, që përbëjnë shumicën e re parlamentare, ndajnë bindjen se kjo duhet të ndodh brenda javës.

Sipas tij, bisedimet me partitë e tjera po përfundojnë si për ndarjen e resorëve, si për kuadrot që do të drejtojnë ato, përveç Lëvizjes BESA, me të cilën ende flitet për proporcionet, resorët dhe përgjegjësinë.

“Është aspirata ime, por në përgjithësi, të gjithë liderët konstatuam që të bëjmë përpjekje që deri në fund të javës të parashtrojmë propozim në Kuvendin e Maqedonisë. Premtuam që kjo do të ndodh për rreth 10 ditë dhe ja, të dielën bëhen 7 ditë. Unë shpresoj që, nëse ia dalim që deri në fund të javës të parashtrojmë Qeverinë në Kuvend, në harmoni me Rregulloren e Kuvendit, debati zgjat 48 orë, që d.m.th. se në fillim të javës tjetër Maqedonia duhet të ketë qeveri të re”,- deklaroi mandatori, njëkohësisht edhe kryetar i LSDM-së, Zoran Zaev.

Zaevi tha se është i vetëdijshëm për pritjet e qytetarëve për fillimin e reformave dhe përmirësimin e jetës ekonomike.

Sipas tij, qytetarët, një ditë e më parë, duan të shohin se si do të funksionojë Kuvendi, mazhoranca dhe opozita.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu