Javën e ardhshme pritet formimi i Qeverisë së re Kurti-Mustafa

Lidhjes Demokratike nuk i ka kaluar pezmi ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, megjithëse votoi për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Zyrtarë të LDK-së kanë thënë se “vendimin e njëanshëm” të 26 dhjetorit do ta shqyrtojnë në strukturat e partisë, të cilat do të mblidhen të hënën.

Sipas tyre, aty do të vendoset edhe për rinisjen eventuale të negociatave me Vetëvendosjen dhe formatin e tyre. LDK-ja po ashtu thotë se topi është në anën e subjektit fitues për formimin e Qeverisë, teksa u janë përgjigjur deklaratave të Kurtit se datën e formimit të Qeverisë ia përcakton LDK-ja e jo presidenti Thaçi, të cilit ia refuzoi tri ftesat e para për takim. Megjithatë, Kurti dhe Thaçi janë dakorduar që takimi konsultues të mbahet të hënën në ora 15:00, shkruan Koha Ditore.

Të njëjtën ditë kur mandatari për krijimin e Qeverisë pritet t’i shkojë në takim Hashim Thaçit për konsultë, Lidhja Demokratike do t’i mbledhë strukturat e partisë për të vendosur rreth takimeve eventuale me Vetëvendosjen dhe formatin e negociatave. Sipas njoftimit të LDK-së, të hënën në orën 09:00, në selinë e LDK-së, mbahet mbledhja e Kryesisë së LDK-së. Ndërsa në orën 13:00 mbahet mbledhja e Grupit Parlamentar të kësaj partie.

“Ftesa për mandatim të formimit të Qeverisë i është bërë LVV-së, si parti e parë në zgjedhjet e 6 tetorit, prandaj i takon LVV-së që të gjejnë formulën e formimit të institucioneve. LDK e ka dëshmuar institucionalizmin e saj duke ia dhënë të gjitha 28 votat e LDK-së kandidatit të LVV-së për kryeparlamentar”, ka thënë për gazetën zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa. Ai ka shtuar se nuk kanë vendosur ende nëse do të ketë rinisje të negociatave për koalicion.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu