Deri në orën 15:00, në zgjedhjet e përsëritura për kryetar komune që po mbahen sot në komunat Vrapçisht, Gostivar, Qendër Zhupë dhe Mavrovë e Rostushë, kanë votuar gjithsej 23,298 votues, që përbën 18.18% të gjithsej 128,286 votuesve të regjistruar. Votimi po zhvillohet në 215 vendvotime, njofton Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ).
Pjesëmarrja më e lartë është regjistruar në komunën Vrapçisht, ku deri në orën 15:00 kanë votuar 5,730 votues, ose 21.01%. Në Gostivar, të drejtën e votës e kanë ushtruar 14,770 votues, ose 17.85%. Në Qendër Zhupë kanë votuar 831 votues, ose 10.99%, ndërsa në Mavrovë e Rostushë kanë votuar 1,967 votues, që përbën 18.60%.
Në krahasim me votimin e 19 tetorit 2025, deri në orën 15:00 ka ndryshime në pjesëmarrje sipas komunave. Në Vrapçisht pjesëmarrja është rritur për 6.47%, ndërsa në Gostivar është ulur për 3.01%. Ulje është shënuar edhe në Qendër Zhupë për 6.13%, si dhe në Mavrovë e Rostushë për 1.54%.










