Joseph: Marrëveshja Kosovë-Serbi, me njohje reciproke, mund të arrihet gjatë këtij viti

Edward P. Joseph, ligjërues në Universitetin Johns Hopkins në Uashington dhe ish-zëvendës i shefit të misionit të OSBE-së në Kosovë, është i bindur se mund të arrihet një marrëveshje në mes Kosovës dhe Serbisë deri në fund të vitit 2023. Ai thotë se “qytetarët e Serbisë duhet të kuptojnë se njohja e Kosovës është e vetmja mënyrë për të ruajtur komunitetin serb dhe trashëgiminë serbe në ato hapësira”.

Në një intervistë për median serbe “Nova”, njeriu i cili së fundi tërboi presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me deklaratën se barrikadat në veri të Kosovës janë hequr që të mund të ngrihen sërish lehtësisht dhe se Vuçiq po manipulon SHBA-në dhe BE-në, ka folur për negociatat mes Kosovës dhe Serbisë dhe pse Amerika insiston në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

I pyetur të komentojë akuzat e presidentit serb Vuçiq se “është lobist i shqiptarëve dhe se merr para nga ata”, Jospeh ka thënë se akuzat e Vuçiqit janë plotësisht të rreme.

Jospeh ka thënë se “është e rëndësishme që qytetarët e Serbisë të kuptojnë se nuk është manipuluar vetëm Perëndimi, por edhe serbët nga Kosova [nga Vuçiqi]”.

“Gabimi i NATO-s, BE-së dhe SHBA-së në këtë rast ishte se ata thanë se barrikadat ishin një formë legjitime proteste, gjë që nuk ishin. Ka arsye që serbët e Kosovës të protestojnë, por kjo nuk është një mënyrë legjitime. Së dyti, ata thanë se Serbia ka të drejtë të dërgojë trupat e saj pranë vendkalimit kufitar. E gjithë kjo është një sinjal shumë i keq, sepse edhe nëse formalisht është kështu, dërgon një mesazh krejtësisht të gabuar. KFOR-i është përgjegjës për sigurinë në Kosovë dhe trupat serbe nuk janë të nevojshme për të mbrojtur serbët e Kosovës”, tha Joseph.

Ai thotë se “ajo që duhet t’i shqetësojë të gjithë është manipulimi që po u bëhet serbëve nga Kosova”.

“Kemi pasur një situatë ku serbët janë larguar nga institucionet, kanë ngritur barrikada, kemi rastin e Nenad Gjuriqit që është suspenduar, kemi rastin e Dejan Pantiqit që është arrestuar. Dhe e dini cili është rasti i tretë që ekziston dhe për të cilin autoritetet në Beograd nuk flasin fare? Rasti i Oliver Ivanoviqit. Prandaj, Nenad Gjuriq u suspendua, Dejan Pantiq u arrestua dhe Oliver Ivanoviq u vra. Dhe tani ju pyes se cili nga këto tre raste është më i rëndë? Është plotësisht e qartë se rasti i Oliver Ivanoviqit është më i rëndë, por çfarë shohim? Jo vetëm që nuk ka progres për të përmbushur drejtësinë që meriton familja e Oliver Ivanoviqit, por shohim edhe se dëshmitarët, si Rada Trajkoviq, flasin për kërcënime për shkak të pjesëmarrjes së tyre në hetimin e vrasjes. A ka nevojë dikush për ndonjë provë të mëtejshme për të kuptuar se për çfarë sharade bëhet fjalë dhe në çfarë mënyre po manipulohen serbët e Kosovës”, thotë Joseph.

Ndërsa, i pyetur nëse kemi një situatë të tillë në terren, a është reale që marrëveshja përfundimtare mes Beogradit dhe Prishtinës të arrihet deri në vitin 2023, Jospeh thotë se kjo është reale.

“Jam 100% i bindur se është e mundur të arrihet një marrëveshje deri në fund të vitit, e cila do të çojë në njohje reciproke. Është e mundur të arrihet kjo marrëveshje shumë përpara fundit të vitit 2023. Është vetëm janari. Mendoj se ka shumë mundësi që të gjitha çështjet e hapura të zgjidhen dhe se është e mundur të arrihet një marrëveshje e kënaqshme që do të garantonte vendin e serbëve të Kosovës si qytetarë të Republikës së pavarur dhe funksionale të Kosovës. Kjo është shumë e mundur, por ka një kusht, pra një pengesë që qëndron në rrugën e një marrëveshjeje, dhe ai është qëndrimi i katër vendeve të NATO-s – Rumanisë, Sllovakisë, Greqisë dhe Spanjës. Ata janë e vetmja pengesë për arritjen e një marrëveshjeje që jo vetëm do të kontribuonte në zgjidhjen e këtij problemi, por do të ndryshonte tërësisht orientimin strategjik të Serbisë. Politika e ‘dy karrigeve’ do të përfundonte, Serbia do të kthehej drejt Perëndimit dhe kjo përfshin anëtarësimin në NATO. Unë jam i bindur për këtë”, thotë profesori amerikan.

I pyetur se “si është madje e mundur të arrihet një marrëveshje e tillë kur qëndrimi i autoriteteve në Beograd është se ata kurrë nuk do ta njohin pavarësinë e diçkaje që e trajtojnë si territor të tyre”, Jospeh tha se të gjithë e dinë këtë qëndrim.

“Ne e dimë gjithashtu se pozita e Serbisë tani është shumë më e vështirë se më parë. Kjo është arsyeja pse është shumë e rëndësishme për të bërë atë për të cilën po flisja sa më shpejt të jetë e mundur. Së fundmi kam dëgjuar një koment nga ministri i Jashtëm, Ivica Daçiq, i cili e krahasoi pavarësinë e Kosovës me pavarësinë e Republika Srpska. Përfaqësuesit e autoriteteve në Serbi shpesh e krahasojnë situatën në Ukrainë me Kosovën. Ata e mbajnë këtë pozicion për një arsye të thjeshtë. Përmenden katër vendet e NATO-s që lejojnë Serbinë të mbajë një qëndrim të tillë”, thotë ai.

Ndërsa, me pyetjen nëse Perëndimi ka mirëkuptim për Serbinë, “e cila, duke gjykuar nga këto kërkesa, duhet të heqë dorë nga diçka që e konsideron territorin e saj”, profesori amerikan thotë se përfaqësuesit e Perëndimit e kuptojnë këtë.

“Unë vetë e kuptoj pse është e vështirë [për Serbinë]. E shihni, unë kam qenë në rajon gjatë luftërave. Unë kam qenë në Kosovë në vitin 1999, kam qenë edhe në vitin 2000. Unë i kam parë dhe i di kushtet në të cilat jetojnë serbët. Më kujtohen serbët në Prizren që kishin shumë frikë për jetën e tyre, pashë shqiptarë që digjnin shtëpi serbe, e di se cili është realiteti. Kam marrë pjesë në luftërat në territorin e ish-Jugosllavisë. Pra, sigurisht e kuptoj dhe e kuptoj që është një çështje shumë e dhimbshme për serbët. E di që Kosova përbën segmentin më të rëndësishëm të trashëgimisë serbe, por le t’i hedhim një sy mjedisit dhe çështjeve të dhimbshme me të cilat janë përballur të tjerët. A nuk mendoni se ishte shumë e vështirë për maqedonasit të ndryshonin emrin? Disa do të thoshin se është shumë më e vështirë – që ju duhet të ndryshoni emrin e vendit tuaj për shkak të kërkesave të një vendi fqinj”.

“Qytetarët e Serbisë duhet të kuptojnë se njohja e Kosovës është e vetmja mënyrë për të ruajtur komunitetin serb dhe trashëgiminë serbe në ato hapësira. Sigurisht që qytetarët e Serbisë e kanë të vështirë ta pranojnë këtë, por besoj se do ta kenë më pak të vështirë kur ta kuptojnë se cili ishte roli i Serbisë në humbjen e Kosovës. NATO-ja nuk ia vodhi Kosovën Serbisë, por Serbia nën Millosheviqin, në qeverinë e së cilës përfshihej edhe presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kontribuoi në atë humbje në masë të madhe. Kjo është shumë e rëndësishme…”, thotë Jospeh.

Profesori amerikan ka folur edhe për planin franko-gjerman si një bazë për arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se për të është njoftuar përmes mediave dhe se “ideja është që Kosova të lejojë formimin e Asociacionit dhe në këmbim Serbia të mos e njeh Kosovën, por të pranojë realitetin, diçka si modeli i dy Gjermanive”.

“E para, mendoj se kjo do të funksionojë dhe së dyti, nuk mendoj se kjo marrëveshje do t’i zgjidhë problemet. Asociacioni i komunave serbe është obligim i Kosovës, mund të jetë pjesë shumë e rëndësishme e marrëveshjes përfundimtare dhe mund të harmonizohet plotësisht me Kushtetutën e Kosovës. Por çështja e Asociacionit është një çështje që lidhet me statusin përfundimtar të Kosovës”.

Ai ka folur edhe për angazhimin e diplomatëve të Shteteve të Bashkuara rreth formimit të Asociacionit.

“Nuk ka dyshim se Asociacioni është në rendin e ditës dhe se përfaqësuesit amerikanë besojnë se kjo është zgjidhja. Unë i respektoj për aftësitë e tyre. Po flasim për diplomatë shumë të aftë – Derek Cholet, Gabriel Escobar, Christopher Hill, Jeffrey Hovenier… Janë njerëz shumë të aftë. Ata besojnë se kjo është zgjidhja, por unë kam një mendim tjetër. Nuk mendoj se do të funksionojë, sepse Serbia nuk ka asnjë interes që gjërat të funksionojnë në terren. Përderisa Serbia mund ta bllokojë Kosovën, do ta bëjë këtë. Në të njëjtën kohë, në këtë mënyrë do të bllokohet vetë Serbia, demokracia e saj, por edhe serbët nga Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina. Gjithçka do të bllokohet përderisa Serbia mund ta bllokojë Kosovën”, tha Joseph. /Telegrafi/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu