‘Kacafyten’ Ramiz Lladrovci me hoxhë mulla Osmanin

Ka vazhduar polemika mes kryetarit të Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, dhe hoxhës Osman Musliu, pas deklaratës së këtij të fundit i cili drejtoi lutje tek Zoti që Lladrovci të mos fitojë edhe një mandat për të udhëhequr me Drenasin.

Lidhur me këtë deklaratë reagoi Lladrovci, duke e quajtur rrenc hoxhën nga Drenasi. “Është fat që Zoti nuk i dëgjon lutjet e rrencave, po t’i kishte dëgjuar, më 2007 Mulla rrenci do të ishte bërë kryetar i komunës. Por, jo, as Zoti, as qytetarët nuk u mashtruan”, ka thënë Lladrovci. I pari i Drenasit ka thënë se shpreson që Zoti ‘ta kthejë në rrugë të drejtë’. “Mulla rrenci nuk është i vetmi i verbuar nga padituria në komunë që nuk i sheh projektet e realizuara dhe ato në realizim. Komenti im është: Do Zoti e kthen në rrugën e drejtë, bile deri në Bajramin tjetër”, ka thënë Lladrovci.

E lidhur me këtë, media ka kontaktuar me hoxhën Osman, i cili drejtoi akuza të rënda për Lladrovcin, duke thënë se ai është në këtë pozitë falë familjes së tij. “Ani me babën hoxhë ani, mirë e ki ti! I kofsh falë që je vlla i kujt je, se sa për aftësitë dhe doktoraturat tua nuk t’kish ra me dal fort në sheher nga arat e fushat e Gllanasellës duke luajtur ‘pitpitak.”, tha ai.

Tutje, mulla Osmani tha se Lladrovci duhet “t’ua puth këmbët” atyre të cilëve u ka borxh për pozitën në të cilën është. “Sa për kryetar e votë të qytetarëve, ti duhet tua puthësh këmbët disave në krah të të cilëve je aty e të cilët fatkeqësisht janë në burg. Frikohem se ndaj tyre do këndosh si bilbil, se në Komunë veç me nxjerr naj dokument kishe shku ndonjëherë”, tha Musliu për Reporterin.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu