Ish-kreu i Parlamentit dhe kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli u paraqit sot para Dhomave të Specializuara në Hagë.
Seanca ka nisur në orën 15:00 dhe shtojmë se Veseli akuzohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Veseli u arrestua më 5 nëntor dhe u dërgua në qendrën e paraburgimit në Hagë, dyshohet për vepra penale që kanë të bëjë me krime lufte, ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje të paligjshme, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit, 1999.
Dhomat e Specializuara konfirmuan aktakuzën ndaj Veselit më 26 tetor, por ajo u bë publike më 5 nëntor. Veseli, ka një aktakuzë të përbashkët me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqin dhe ish-shefin e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi.
Veseli, që gjatë luftës ka qenë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 5 nëntor, njoftoi për konfirmimin e aktakuzës dhe tha se ka dhënë dorëheqje nga të gjitha postet publike dhe politike.
Para Dhomave të Specializuara paraqitjen e parë të hënën e ka bërë ish-presidenti Thaçi, i cili është deklaruar i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
Njëjtë është deklaruar edhe ish-kryeparlamentari Krasniqi, i cili e ka quajtur aktakuzën ndaj tij si “padrejtësi të madhe”.