Kallas: Maqedonia e Veriut e di më mirë se kushdo tjetër që rruga drejt anëtarësimit në BE nuk është e lehtë

“Bashkimi Evropian mbetet me Maqedoninë e Veriut në rrugën drejt integrimit të plotë”, tha sot Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas, në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin Hristijan Mickoski në Shkup.

Ajo deklaroi se ata në takim diskutuan disa tema, duke theksuar se vendi është përfituesi i parë në rajon i asaj që ofron Plani i Rritjes së Ballkanit Perëndimor, por edhe vendi i parë që nënshkruan Partneritetin e Sigurisë dhe Mbrojtjes me BE-në.

Kallas theksoi se në takim u diskutua, ndër të tjera, edhe për përparimin e ekonomisë së RMV-së, duke shtuar se ky proces është me rëndësi të madhe për vetë Unionin.

“Ky partneritet nënkupton punë të përbashkët për Ukrainën dhe në fushën e luftimit të terrorizmit, sigurisht, dhe kjo tregon se integrimi gradual po funksionon. Por të dyja palët duan më shumë dhe kjo është shumë e qartë. Maqedonia e Veriut i përket BE-së. Keni një histori vërtet të gjatë të përafrimit me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, dhe kjo është veçanërisht e rëndësishme për ne në këto kohë të trazuara, kur shohim se ka ndryshime serioze gjeopolitike në botë”, tha Kallas.

Ajo foli për përpjekjet e ndërmarra nga Qeveria në lidhje me agjendën e reformave.

“Ju e dini më mirë se kushdo tjetër se rruga drejt anëtarësimit nuk është e lehtë dhe mesazhi im sot është të qëndrojmë në atë rrugë, të ndërmarrim hapat e nevojshëm për të hapur negociatat e pranimit. Kjo do të thotë gjithashtu se BE-ja do t’i ofrojë Maqedonisë së Veriut mbështetje edhe më të madhe, qoftë për sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit apo modernizimin e administratës publike”, theksoi Kallas.

Ajo shtoi se ata e dinë nga përvoja se progresi mund të jetë i shpejtë nëse ka vullnet politik dhe përmendi Shqipërinë dhe Malin e Zi si shembuj të mirë të kësaj.

“Sigurisht, Maqedonia e Veriut përballet me një zgjedhje për qytetarët e saj dhe për të ardhmen. Ne besojmë se integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE është receta më e mirë për paqe dhe siguri në të gjithë rajonin. Pra, le të ecim përpara së bashku, dhe këtu dua t’ju siguroj se BE-ja mbetet në anën tuaj”, tha Kallas.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu