Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, shpreson që deri në qershor ose korrik të vitit të ardhshëm të zbatohet sistemi “Qytet i Sigurt” në të gjithë territorin e shtetit. Ai shtoi se periudha e testimit për regjistrimin e kundërvajtjeve nga ky sistem vlen deri më 1 shkurt të vitit të ardhshëm.
“Jam i sigurt se deri në fund të vitit 2026 do ta implementojmë për çdo qytet si një sistem të mençur. Edhe qytetarët e Berovës, Dellçevës, Strugës dhe Ohrit meritojnë një zgjidhje të tillë, e cila duhet të ndjekë strategjinë evropiane për ‘zero viktima’, sipas së cilës deri në vitin 2050 nuk duhet të ketë humbje jete si pasojë e mosrespektimit të rregullave të trafikut”, tha ministri.
Në këtë periudhë të shkurtër kohore, brenda fazës së testimit, sipas tij, informacionet fillestare tregojnë se qytetarët e Maqedonisë tani sillen ndryshe gjatë drejtimit të automjeteve krahasuar me më parë. Numri i aksidenteve rrugore me pasoja të rënda është ulur.










